Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme, kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete.Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq. Në qytetin bregdetar ka zona ku niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.
Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.Aktualisht 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku. Ato do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje.
Situatë e rënduar paraqitet dhe në autostradën Durrës- Tiranë ku disa automjete janë fikur e paraqesin probleme për shkak të pranisë së lartë të ujit në disa segmente të këtij aksi të rëndësishëm rrugor.
Edhe në Tiranë, reshjet e dendura të shiut dhe mbushja e rrugëve me ujë ka sjellë trafik të rënduar.
Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër. Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.
Në Kukës ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore. Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.
Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.
Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere, por deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.
Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht, po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.
10:29 Moti i keq në vend, anulohet për herë në dy dekada ceremonia e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik
Besimtarët e krishterë kremtojnë sot Pagëzimin e Zotit Jezus Krisht dhe me këtë rast Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti” të Durrësit. Në orën 10:30, pas Bekimit të Ujit në kishë, ishte parashikuar që Kryepiskopi të kryente procesin e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik në port, por për shkak të motit ky proces nuk do të bëhet.
10:25 Trafik i rënduar nga moti i keq në Tiranë, dy autobusë pësojnë defekt në mes të rrugës
Një ngjarje e paprecedentë ndodhi këtë mëngjes në kryeqytet për udhëtarët e linjës urbane Tirana e Re. Teksa reshjet e shiut shkaktuan trafik të rënduar, qytetarët u përballën me një situatë skandaloze kur autobusët pësuan defekt në mes të rrugës, duke i lënë udhëtarët në mes të rrugës.
10:21 Shkarkohet hidrocentrali i Komanit, 700 m³/sekondë
Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht, po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, më disa zona të Durrësit niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.






