Si çdo pasdite këtë fillim viti, edhe sot u mbajt tubimi poshtë shtëpisë së Sali Berishës në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Në fjalën e tij, ish-kryeministri hodhi akuza ndaj Edi Ramës, si një armik të egër të kombit tonë pas Enver Hoxhës.
Berisha e krahasoi kryeministrin me xhelatët e diktaturës, duke mos lënë pa përmendur as babain e tij që, siç thotë Berisha, firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela gjatë kohës së komunizmit.
Berisha i bëri thirrje gjithë shqiptarëve dhe atdhetarëve kudo ku janë që të luftojnë kundër këtij armiku të kombit, siç e quan ai Edi Ramën.
Sali Berisha: “Edi Rama në projektin e tij ogurzi të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij, vendosi votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre, në kontrollin e tij, të bandave të tij, të parave të krimit të tij.
Ai ja doli me fuqinë e korrupsionit të mposhtë, kontrollojë opozitën dhe pas kësaj mendoi se Shqipëria pa opozitë, si Shqipëria e dajos së tij, që firmoste ekzekutimin e Genc Lekës, Vilson Blloshmit, që firmoste ekzekutimin e dhjetëra e dhjetëra intelektualëve shqiptarë.
Njëlloj si Shqipëria e babait të tij që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës të ishte një Shqipëri pa opozitë, ku ai si padrino i saj të merrte çdo vendim, të kryente çdo akt, të bënte ndaj shqiptarëve atë që nuk e ka bërë deri më sot asnjë pushtues.
Nga kjo tribunë e juaja, tribunë e lirisë, e dinjitetit, guximit ju ftoni, apeloni ndjenjat patriotike të çdo shqiptari.
Shqiptarë, atdhetarë kudo që jeni, mos harroni se në Tiranë sot është një armik i egër i Kombit shqiptar i cili në raport me pjesë të tjera të kombit është vëlla siamez me Enver Hoxhën”.