Në Gjykatën Speciale të Hagës sot do të zhvillohet një ndër tubimet më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga shqiptarët kundër proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në bashkëpunim me diasporën shqiptare në Evropë dhe pritet të fillojë në orën 14:00, ndërsa autoritetet holandeze kanë dhënë leje zyrtare për zhvillimin e saj.

Shqiptarët pretendojnë se Gjykata Speciale se ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohen procese të njëanshme si dhe po tentojnë të deformojnë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se organizata nuk kërkon mëshirë, por drejtësi për krerët e UÇK-së.

Në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ata akuzohen për krime lufte dhe kundër njerëzimit, ndërsa ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020 dhe gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Protesta pritet të jetë paqësore dhe masive, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera evropiane, të organizuar përmes grupeve të diasporës dhe linjave të transportit.