Erion Murataj PSD

U desh 1 vit, por më në fund autori i një vrasjeje të ndodhur në Itali është vënë në pranga. Bëhet fjalë për një 36-vjeçar shqiptar, që dyshohet se i mori jetën pronarit të një tabakinoje në Jeloso, Roberto Basso.

Ky i fundit u gjet i vdekur më 5 Mars 2024 në banesën e tij. Ai jetonte vetëm. Në vendin e ngjarjes nuk kishte shenja të hyrjes me dhunë. Pra me shumë mundësi, Basso e njihte vrasësin dhe e kishte lënë të futej në banesë.


Kjo e kishte shtuar misterin e autoriteteve dhe prej muajsh ishin përpjekur t’i gjenin zgjidhje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

E kështu, më 24 Mars nga karabinierët e Venecias u vu në pranga 36-vjeçari L. Shehu. Prej vitesh ai jetonte me familjen në të njëjtin qytet me viktimën. Tashmë ndodhet në qeli dhe duhet të përballet me akuzën e vrasjes.

Motivi i krimit sipas hetuesve ka qenë një grabitje e shkuar keq. Mendohet se Shehu ka shkuar në shtëpinë e viktimës për t’i vjedhur paratë. Por atje është kapur në befasi nga pronari i saj. Për këtë arsye, ai ka reaguar duke e goditur Basso-n me një objekt të mprehtë.


Hetuesve iu deshën të këqyrnin me dhjetëra kamera sigurie për t’u siguruar për prezencën e shqiptarit në zonë dhe madje zbuluan disa gjurmë të ADN-së së tij në skenën e krimit. Po ashtu është përgjuar duke i kërkuar të shoqes që të konfirmojë një alibi për të natën e krimit.

Siç bëjnë me dije mediat italiane, shqiptari gjatë kohës që është marrë në pyetje në gjykatë, ka qëndruar në heshtje.