Policia ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje. Në kuadër të operacionit të koduar “Kombinimi”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 5 në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, janë vënë në pranga dy shtetas të përfshirë në veprimtari kriminale.

Të arrestuarit janë Agron Tafaj, 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë të Laçit, dhe Tajson Tafa, 27 vjeç, banues në Tiranë. Të dy personat kanë precedentë penalë në fushën e narkotikëve.

Dy të arrestuarit u kapën në flagrancë në zonën e Bathores, duke lëvizur me dy automjete ku gjatë kontrollit u zbuluan 4 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis, e ndarë për shitje me doza në zonat e Kamzës dhe Bathores.

Më pas, në bashkëpunim me Policinë e Kurbinit, u ushtrua kontroll në banesën e 53-vjeçarit në Gjormë, ku u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit me ndriçim artificial (llamba). Nga kontrolli u sekuestruan:

48 bimë dhe 120 fidanë të dyshuar cannabis sativa

7 kg kanabis

4 kallëpe tritol

2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonatorë

3 kuti me ndezësa minash luftarake

Ndërkohë, në banesën e 27-vjeçarit në Tiranë u gjetën:

1 kg kanabis

1 peshore elektronike

1 armë e ftohtë (thikë) dhe 1 shufër metalike

Policia ka nisur hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.