Në një diskutim të zhvilluar mbi çështjet e tregut imobilar dhe turizmit, në studion e “Dita Jonë” në A2 CNN, u shpreh shqetësimi për menaxhimin e hapësirave të plazheve dhe ndikimin e qirave afatshkurtra në tregun e pasurive të paluajtshme.

Një pjesë e madhe e plazheve po përdoren për qëllime komerciale, me 700 metra të zënë nga çadra dhe shezllongë, ndërsa vetëm 300 metra mbesin të lira, të menaxhuara nga bashkitë dhe të hapura për qytetarët.

Një tjetër pikë e diskutimit ishte ndikimi rritjes së popullaritetit të platformave si Airbnb në tregun e qirave ditore. Në vendet e Evropës Perëndimore, si Spanja dhe Italia, është raportuar një rritje në çmimet e qirave për shkak të zvogëlimit të ofertave afatgjata në favor të qirave ditore.

Ky trend sipas ekspertëve është i dukshëm edhe në Tiranë, ku qiratë kanë pësuar rritje deri në 35% në vitet e fundit, shkruan A2.

Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme ofrojnë përfitime të konsiderueshme për pronarët, me mesatare të ardhurash vjetore që variojnë nga 8500 deri në 9000 euro për njësi.

Kjo sipas drejtorit ekzekutiv të NAREA-s, Reinaldo Pipiria ka çuar në një rritje të dukshme të çmimeve të apartamenteve për blerje dhe qira, duke e bërë tregun ndoshta më pak të përballueshëm për familjet dhe individët që kërkojnë hapësira banimi afatgjata, raporton A2.

“Në Spanjë po protestohet për uljen e çmimeve, sepse ndoshta pikërisht nëpërmjet apartamenteve me qira, po shikohet që atje po rriten shumë çmimet e banesave dhe qytetarët po protestojnë. Po të shikojmë në Shqipëri, në vitet e fundit ka qenë rreth 35% rritja e qirasë. Në zonën e Tiranës, për shkak të kësaj zhvendosjeje nga qiraja afatgjatë, pra po themi një vit, dy vite, apo mujor në qira ditore. Nëse futemi brenda unazës së vogël të Tiranës, tradicionale, patjetër që shkon 800 – 900 – 1000 euro qiraja. Një apartament një plus një mund të jetë 60 deri në 70 metra katrorë. kështu që çmimi për qira është 450 ose 500 euro për njësi”, tha Pipiria për “Dita Jonë” në A2 CNN.

Shtetet evropiane kanë filluar të reagojnë ndaj kësaj tendence, duke propozuar legjislacione që kufizojnë numrin e ditëve për qiranë ditore në muaj të caktuar, me synimin për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të balancuar tregun e qirave.

Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, ndërgjegjësimi mbi këto sfida dhe përpjekjet për të krijuar një treg më të balancuar janë të domosdoshme për një zhvillim urban të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë banorët. (A2