Tropojë
Plagosi me armë zjarri 39-vjeçarin, Policia arreston në kohë rekord autorin.
Sekuestrohet edhe arma e krimit, kallashnikov.
Sot, rreth orës 07:10, në fshatin Luzhe, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 46 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Luzhë, i cili është transportuar për mjekim në spitalin e Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, të cilat falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, shtetasit I. A., i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në periferi të fshatit.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së krimit, kallashnikov me një krehër me municion luftarak.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një armë e ftohtë thikë me të cilën dyshohet se në momentin e konfliktit të çastit, i dëmtuari ka kanosur me thikë autorin dhe më pas konflikti është përshkallëzuar në përdorimin e armës nga 46-vjeçari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Fax