Efektivi i policisë Erion Goxharra qëlloi me armë Lorenc Kostën më 19 gusht në Komunën e Parisit në Tiranë, ndërsa ishte jashtë shërbimit.
Shkak i konfliktit mes tyre është bërë zbulimi i marrëdhënies intime të gruas së efektivit me 45-vjeçarin, edhe ky i fundit i martuar.
Mësohet se bashkëshortja e efektivit, më të cilin ka dy fëmijë, është njohur në vendin e punës me Kostën, aty ku dhe kanë nisur një romancë jashtëmartesore.
Historia është zbuluar rreth 4 muaj më parë nga efektivi Erion Goxharra, ku kanë pasur edhe debate në familje, për të shpëtuar marrëdhënien.
Ndërkohë Goxharra me armën e shërbimit ka qëlluar 6 herë ndaj Kostës, i cili ndodhet në spital në rrezik për jetën.
Nga ana tjetër autori i plagosjes është në arrati, ndërsa policia ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jep informacion të saktë për lokalizimin e tij.
Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes, duket momenti kur polici ka qëlluar dhe Kosta ka tentuar të mbrohet duke vendosur duart para, e më pas ka tentuar që të largohet me vrap, por është qëlluar sërish dhe është rrëzuar.