Prokuroria e Tiranës zbardhi skemën abuzive e transferimit të pacientëve nga Onkologjiku në spitalet private me qëllime përfitimi, ndërsa u dhanë masa sigurie për 7 mjekë e specialistë.

Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi” në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e Onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Në kuadër të këtij operacioni, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha,  u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitje për:

1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Arrest shtëpie” parashikuar nga neni 237 të Kodit të Procedurës Penale.

2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” te parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

3. Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

5. Halil Gashi i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

6. Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi I mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 I K.penal.

7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.

8.Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i K.Penal nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.

Top Channel