Vijon historia e kontenierëve me banane të tejmbushur me kokainë.
Këtë herë një sasi e konsiderueshme lënde narkotike është kapur pasditen e sotme në portin e Durrësit.
Strukturat e Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe portuale, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “EL MEJOR”.
Hetimet po drejtohen nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe prokurorë të SPAK-ut.
Në një kontenier me banane, që vinte tranzit nga porti i Italisë, skaneri i kontrollit në port diktoi 200 pako me lëndë narkotike kokainë, të fshehura në tavanin e tij, dhe që peshonin plot 143 kg.
Sipas policisë, kokaina e kapur ishte nisur nga porti i “GUAYAQUIL” në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali, ndërkohë që kompania pritëse ishte “Massabi Fruits” me qendër në Kombinat.
Në këtë kompani, e cila që prej 2018-ës operonte në treg për importin e bananeve nga Amerika Latine dhe eksportin e frutave të thata, ishte administrator Erjon Peti dhe ortaku i tij, Klajdi Xibraku bëjnë me dije burimet për gazetaren Kloida Gjuzi.
Klajdi Xibraku ishte personi që ishte paraqitur në portin e Durrësit për të bërë dhe zhdoganimin e mallit, por u shoqërua nga policia pasi u konstatua lënda narkotike që vinte për llogari të kompanisë së tij.
Në fakt, Xibraku dhe Peti kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin dhe janë individë të padëgjuar më parë për përfshirje në ndonjë vepër kriminale, dhe të dy e kanë mohuar kategorikisht lidhjen e tyre me sasinë e lëndës narkotike që u kap pasditen e sotme në port.
Pavarësisht se ata mohuan të kenë pasur dijeni për lëndën e sekuestruar në kontenier, policia i arrestoi të dy në flagrancë pasditen e sotme.
Ndërkohë një detaj tjetër mjaft interesant është dhe fakti se në 200 pakot e kapura me kokainë, në disa prej tyre kishte mbishkrime si “El Mejor”, që nga spanjishtja përkthehet si “më e mira” dhe “Viejon”, që do të thotë “i moshuar”. Ndërkohë që një pako tjetër “ulëriste” që kishte kokainë, pasi në të ishte stampuar edhe imazhi i “mbretit” të drogës, Pablo Escobar.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë në Durrës, u kap një sasi tjetër prej 49 kg kokainë e fshehur në pjesën anësore të një kontejneri me banane. Për këtë u arrestua Selim Cekaj, babai i Arbër Cekajt edhe ky i arrestuar për një sasi rekord kokaine të kapur në vitin 2018.