Home AKTUALITET Si u shpall i pabanueshëm pallati në Tiranë pa asnjë matje

Si u shpall i pabanueshëm pallati në Tiranë pa asnjë matje

76

Bashkia e Tiranës prej muajsh gjendet përballë qytetarëve të kryeqytetit që e kanë paditur në një proces gjyqësor ku po shqyrtohet shembja e dhjetra pallateve në zonën e Kombinatit. Listës së gjatë të proceseve civile i është shtuar edhe një padi tjetër, në një zonë krejt tjetër të Tiranës. Bëhet fjalë për pallatin nr. 415/1, në rrugën “Ferit Xhajko”, që të gjithë ata që jetojnë në kryeqytet, e njohin si pallati përballë hyrjes së tregut të Medresesë për shkak të njësive tregtare të shumta që ndodhen në këtë godinë. Në këtë pallat jetojnë 50 familje, të cilat pas dy vitesh nga tërmeti i 26 nëntor 2019, janë njoftuar jo zyrtarisht nga të njohur pranë bashkisë së Tiranës se pallati i tyre do të shembej. Një ekspertizë e thelluar së bashku me oponencën teknike nga Instituti i Ndërtimit, tregoi se pallati ishte më shumë se 70% i dëmtuar. “Seksioni i parë 75%, seksioni i dytë 71.5% dhe seksioni i tretë 73.7%”, thuhet në akt ekspertimin e kryer. Por përtej shkresave të firmosura me urgjencë, persona që e njohin fare mirë të vërtetën denoncojnë rrethana dhe fakte të ndryshme.

Me ligjin, a aktin ligjor që është në fuqi thuhet që nëse dëmi i ndërtesës është mbi 70% prishet, sepse kostot për riparim tejkalojnë kostot e ndërtimit. Ekspertë vet që punojnë në shtet kanë ardhur dhe e kanë parë miqësisht dhe kanë thënë që kjo ekspertizë nuk qëndron, ka element të cilët nuk ndodhen fare në pallat”, thuhet në denoncimin e postuar në redaksinë e “Sinjalizo”. Qytetari emri i të cilit mbetet konfidencial, bën të ditur se është hapur edhe proces gjyqësor për të kundërshtuar këtë vendim të Bashkisë Tiranë për prishjen e objektit. Por për hapjen e këtij procesi, paditësve iu është kërkuar paradoksalisht një ekspertizë e pavarur.

Ne e bëmë ekspertizën e pavarur se në të kundërt gjykata nuk ta pranonte padinë, paguam 10 milionë lekë të gjithë si banorë. Kjo ekspertizë e nxorri 31% të dëmtuar. Sado gabim ta ketë bërë, ja 40, ja 50, 60, po 70% nuk është, ndërsa bashkia e ka nxjerrë 71%. Gjykata e ka pranuar padinë, ka vendosur sekuestro duke pezulluar ekzekutimin e vendimit të Bashkisë, dhe ka thirrur grup ekspertimi vetë. Nga ana tjetër bashkia ka shpallur firmat për demolimin e pallatit”, thuhet në një pjesë tjetër të mesazhit të mbërritur në “Sinjalizo”.

“Ekspert” që vlerësojnë me sy të lirë dhe ekspertët e vërtetë si ka parë askush

Pikërisht në këtë pallat, familja e Altion Levanit zotëron tre njësi tregtare, të cilat janë në funksion prej 12 vitesh. Në këto njësi tregtare janë punësuar pothuajse të gjithë pjestarët e familjes. Në të njëjtin pallat ata gjithashtu banojnë në një apartament me qira.

Altion Levanti, banor i pallatit

Një herë, pothuajse një vit e gjysmë pas tërmetit, por nuk mund të them nëse ishin ekspert u futën në ambientet e dyqanit tim e panë. Nuk identifikuan asnjë plasaritje shkuan edhe te banorët në pallat dhe nuk kanë evidentuar dëme. Në dijeninë time, unë nuk di të kenë ardhur ekspert këtu që të kenë parë ose të kenë bërë prova të materialeve që është ndërtuar pallati. Një herë kanë ardhur në dyqan disa persona dhe pasi na njoftuan shitëset kemi shkuar edhe ne, ju kemi kërkuar të identifikohen na thanë vetëm se janë nga bashkia, as pozicioni që mbanin, as emër dhe asnjë dokument fare. Ekspert që të vinë me mjetet e nevojshme për të bërë ekspertiza të materialeve ne nuk kemi parë ndonjëherë”, kujton Altioni.

Dhe ai nuk është i vetmi që nuk ka parë ndonjë herë ekspertë. Dritan Azexhiu, i lindur në këtë pallat dhe që vijon ende të jetojë aty, pohon të njëjtën gjë si banori i mësipërm. “As na ka ardhur ndonjë njoftim zyrtar nga Bashkia, por çdo gjë e kemi marrë vesh nga njëri- tjetri. Unë jam gjithë ditën këtu se kam dyqanin dhe nuk kam parë ndonjë lloj eksperti të Bashkisë ose të ndonjë institucioni shtetëror që të vijë të bëjë ekspertizën në vend”, përfundon ai.

Dritan Azhexhiu

Por terri informativ në të cilin Bashkia Tiranë ka lënë banorët e këtij pallati është më i keq se fakti që teksa ka konkluduar prej dy vitesh se godina është në rrezik për jetën e tyre, i ka lënë krejt qetësisht të jetojnë aty. Ky fakt bën akoma më të dyshimtë dhe fiktive ekspertizën në fjalë. Në këto rrethana, banorët janë të paqartë se çfarë do ndodhë me ta dhe aq më tepër me pronën e tyre.

Para zgjedhjeve më ka ardhur një letër ku me thoshte eja të merrni bonusin e qerasë, po ai bonusi e para është 180 mijë lekë, unë jam plak si e sheh, e sëmurë, a jam në gjendje unë të gjej shtëpi me qera? Plus mua nuk më është thënë asgjë se çfarë do të bëhet me pronën time”, shprehet Marika Xheko, e cila është banore e këtij pallati. E moshuara shton se Bashkia Tiranë, sipas atyre që ka dëgjuar pretendon se do ta bëjë lulishte hapësirën ku është ngritur pallati. Por të tjerë që kanë hetuar më qetësisht janë të bindur se nëse shëmbet godina ekzistuese aty do të ndërtohet një pallat tjetër.

Marika Xheko

Nuk mund të ma marrësh pronën mua në këtë zonë dhe të ma zëvendësosh me më pak metra dhe në një zonë tjetër e cila është fundi i Tiranës. Kemi marrë vesh se do të na çojnë në banesat sociale në Breg të Lumit. Po pse njësoj e ka vlerën një metër katror këtu dhe njësoj atje?! A është pallati i dëmtuar, shumë mirë, prishe dhe ndërtoje këtu ku është, madje jemi gati të kontriubojmë edhe ne vet si banorë, dhe na jep pronat si i kemi patur, asnjë metër më shumë e asnjë më pak. Kemi punuar gjithë jetën për të blerë një shtëpi dhe tani se i teket Bashkisë nuk mund të na i marrin shtëpinë tonë, aq më tepër me ekspertiza false për të përfituar një ndërtues”, shprehet një tjetër banor, i cili duke treguar me gisht shton. “Shikoni pallatin përballë! Ka të çarë nga kati i parë në kat të pestë! Para një viti i nxorri bashkia nga pallati me shqelma, duke u prerë dhe ujin banorëve me justifikimin se pallati ishte jo stabël, DS5. Mbeti në kat të tretë vetëm një familje e cila nuk kishte mjetet për të lëvizur apo jetuar tjetërkund, shprehet banori.

Për gati një vit pallati mbeti bosh, dhe pastaj iu ndryshua shkalla e dëmtimit nga DS5 në DS3 a më pak, sepse aty na paska pronat një piktor i njohur me miq në Bashki. Ndërkohë pallatet tona, pa asnjë të çarë apo krisje thonë janë të pabanueshme dhe të rrezikshme për jetën, ndërkohë që u kujtuan të na e thonë këtë gati dy vjet pas tërmetit. Pallati përballë po ripopullohet, dhe Bashkia do e suvatojë, në do na rrënojnë!

Tërmeti, një plagë e pambyllur

Qindra familje kanë përfituar bonusin e qerasë në kryeqytet për shkak se banesat e tyre janë të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Por problem mbetet edhe shuma financiare e dhënë nga Bashkia Tiranë mbi bonusin e qerasë. Por në pallatin në fjalë, njoftimin për marrjen e bonusit nga 50 familje e kanë marrë vetëm 4 prej tyre dhe sipas banorëve nuk kanë pranuar ta marrin.

Ore e para ai bonusi është 180 mijë lekë të vjetra, më thuaj ti, a gjen dot shtëpi me qira në Tiranë për 180 mijë lekë të vjetra? Një plus një shkon minimum 250 mijë lek në rastin më të mirë, plus a rri dot një familje me 5 anëtarë në një plus një-sh? Hajde ta heqim edhe pjesën e qerasë se do shkojmë në Dajt për të ndenjur, por ne kemi bizneset këtu, me këto dyqane sigurojmë të ardhura për familjet tona. Unë me dyqanin tim mbaj frymën e të gjithë anëtarëve të familjes, shkollën e fëmijëve dhe gjithçka. Të më japë Bashkia një zgjidhje se si t’ja bëj. Është shumë e thjeshtë, këtu nuk ka dëmtime nga tërmeti se ekspertiza private e nxorri DS-1 që do të thotë dëmtime të lehta, carje e hollë e suvasë, ndërkohë ekspertët e Bashkisë Tiranë kërkojnë ta demolojnë, madje kanë zgjedhur edhe firmën e demolimit se sipas ekspertizës së tyre është mbi 70% i dëmtuar. Edhe për këtë dikush duhet të shkoj pas hekurave se ka prodhuar një dokument fals”, shton një tjetër banor, i cili përveç apartamentit, zotëron edhe një dyqan prej vitesh. Nëpërmjet të ardhurave të përfituara prej tij, ai siguron jetesën e familjes.

Ekspertiza e dyshimtë, oponencë me një frymë

Për banorët, përtej beftësisë së kryerjes së të gjithë procedurave për vlerësimin e pronës së tyre, mënyrës së kryerjes së akt ekspertizës, refuzimit nga ana e Bashkisë për të publikuar këto gjetje dhe dhe mospërputhjes së gjetjeve të akt-ekspertizës së porositur nga Bashkia Tiranë me atë të bërë nga një studio e pavarur, i shtohet dhe fakti se kompania e kontraktuar nuk është përzgjedhur përmes një procedure tenderimi publik, por një kontraktimi të drejtpërdrejtë pa garë që ka ngritur flamuj të kuq për sa i përket garës.

Disa muaj pas Ekspertizës së thelluar e cila i gjykoi pallatet të pabanueshme dhe oponencës teknike nga Instituti i Ndërtimit, me numër protokolli 1911/2 e datës 04.08.2020, Ministri i Shtetit për Rindërtim, pas një ankese të banorëve të këtij pallati i është drejtuar Bashkisë Tiranë me një shkresë me numër protokolli 1827/1 e datës 09.04.2021 duke i kërkuar Bashkisë të merrte masat për të pezulluar Vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e këtij pallati, me qëllim që banorët të ushtronin të drejtën e tyre ligjore për të kryer edhe njëherë Akt-Ekspertizën e thelluar të këtij objekti.Kerkesa e Ministrit te Rindërtimit drejtuar Bashkisë TiranëKerkesa e Ministrit te Rindërtimit drejtuar Bashkisë TiranëKerkesa e Ministrit te Rindërtimit drejtuar Bashkisë TiranëKerkesa e Ministrit te Rindërtimit drejtuar Bashkisë TiranëPrevNext12

Një tjetër fakt i cili bie në sy dhe shton dyshimet për saktësinë e ekspertizës së kryer është ai i kohës së bërjes së oponencës teknike për këtë objekt. Kërkesa për oponencë teknike në Institutin e Ndërtimit është bërë me 3 gusht 2020, ndërsa kjo oponencë i është kthyer kërkuesit një ditë më vonë më 4 gusht 2020. I pyetur për këtë hapësirë kohore të shkurtër të kthimit të oponencës, një ekspert i Institutit të Ndërtimit i cili kërkon të mbetet anonim u shpreh: “Oponencë e saktë as 24 orë pas marrjes së kërkesës nuk mund të bëhet. Minimalisht do të duhej 1 javë dhe prapë do të ngriheshin dyshime, për shkak se kjo oponencë nuk bëhet vetëm në bazë letrash, por ka edhe punë verifikimesh në terren”.

Nga dokumentat e përftuara nga Instituti i Ndërtimit një numër i oponencave teknike të porositura nga Bashkia Tiranë, ky institut i ka kryer ende pa lidhur një kontratë zyrtare me këtë institucion duke shkelur kështu edhe kontratën e lidhur mes të dyjave. Një pjesë e informacionit të kërkuar Bashkisë Tiranë i është kërkuar edhe Institutit të Ndërtimit, i cili ka treguar gadishmëri për dhënien e tij kundrejt pagesës, por me një tarifë riprodhimi tejet qesharake prej 300 lekë(të reja) për faqe të fotokopjuar. Në lidhje me këto tarifa është bërë ankesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili në muajin korrik 2021 ka filluar një proçedurë për marrje opinioni nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë, nëse këto tarifa janë të pranueshme dhe konfort ligjit, pavarësisht se është ky i fundit i cili udhëzon mbi tarifat dhe kostot reale të riprodhimit të informacionit publik. Kjo procedurë ende vijon të jetë e hapur më shumë se tre muaj pas fillimit të saj duke bërë të pamundur marrjen e informacionit të kërkuar brenda një afati ligjor dhe objektiv.

Duke patur parasysh të gjitha këto mospërputhje, por edhe faktin se nëse ky objekt shembej, dëmi do të ishte i pakthyeshëm, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë më datë 17.06.2021 vendosi: Pranimin e kërkesës për sigurimin e padisë, Pezullimin e vendimit nr26, datë 1.3.2021 për prishjen e detyruar të pallatit 415/1 në rrugën “Ferit Xhajko”, Njësia Administrative nr. 8.

E nga ana tjetër, ndonëse gjykata ka kërkuar që të ndalohen të gjitha veprimet deri në përfundimin e procesit gjyqësor e të daljes së një vendimi përfundimtar, banorët e këtij pallati shprehen se shpesh herë marrin telefonata nga njësia bashkiake, të cilët u kërkojnë të paraqesin çertifikatat familjare pranë njësisë bashkiake së bashku me dokumenta të tjera.

Paralelisht me këto përpjekje të Bashkisë Tiranë për të shtyrë banorët e këtyre ndërtesave, kjo e fundit, me një procedurë të kufizuar në pjesmarrës por edhe në kohë, Brenda 10 ditëve gjatë Majit të këtij viti, ka lidhur kontratën me firmat VAS Konstruksion Shpk dhe 4 AM Shpk për demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore, për 13 (trembëdhjetë) palate, një ndër të cilët është dhe pallati në fjalë, për të cilin gjykata ka vendosur pezullimin e çdo veprimi nga ana e autoriteteve lokale.

Terr informativ, Bashkia e Tiranës fshihet mbas Cd bosh. Komisioneri i pamundur të zbatojë ligjin

Prej më shumë se tre muajsh e gjysmë, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore e ka ndjekur këtë çështje, ku pjesë e punës së saj ka qenë edhe sigurimi i informacionit zyrtar nga ana e Bashkisë Tiranë. Rrjedhimisht, më 8 qershor, ACQJ i ka dërguar Bashkisë Tiranë një kërkesë sipas parashikimeve ligjore të Ligjit për Informimin, ku i kërkonte, kopjen e kontratës së NET-grup Sh.p.k e cila ka realizuar ekspertizën, kopje të aktit të thelluar të ekspertizës së kryer nga NET-grup shpk, aktin e oponencës teknike të bërë nga Instituti i Ndërtimit dhe Akt-marrëveshjen e bërë mes Institutit të Ndërtimit dhe Bashkisë Tiranë. Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, ACQJ kërkoi informacion nga Bashkia e Tiranës duke e pyetur se çfarë kishte parashikuar ky institucion për të bërë me atë hapësirë, për sa kohë banorët do të zhvendoseshin, si në planin afatshkurtër edhe në atë afat-gjatë. Çfarë do të ndodhë me banorët e këtij objekti si dhe nëse parashikohen të bëhen ndërtime të tjera në të?

Pas një muaji, Bashkia Tiranë kthen përgjigje, por pa dhënë përgjigje për pyetjet, me argumentin se për disa prej tyre Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore nuk kishte të drejtë të informohej. Por ligji është i qartë mbi të drejtën e informimit për çështje si kjo, ku informacioni i kërkuar është tërësisht mbi një procedurë me interes publik, që zhvillohet nga një institucion buxhetor, që përdor fonde nga Buxheti i Shtetit dhe taksat lokale.

Pas ankesave të shumta pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, në fund të muajit korrik 2021, Bashkia Tiranë ka pranuar dhënien e informacionit kundrejt pagesave përkatëse, bazuar në tarifat e këtij institucioni. ACQJ është informuar se informacioni do të vihej në dispozicion vetëm pas përgatitjes së tij nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile dhe lëshimit të faturës përkatëse. Për mëse një muaj e gjysëm nga kjo, s’ka ende një përgjigje përfundimtare nga ana e Bashkisë Tiranë, përveç justifikimit të vazhdueshëm se stafi është me pushime verore, institucioni ka një numër tejet të lartë kërkesash për informacion dhe ka probleme në procedimin e tyre, si dhe në mungesë të titullarëve të institucionit të cilët gjenden me leje vjetore.

Pas një serie prej më shumë se 7 e-mailesh, thuajse javore, për rikujtesë Bashkisë Tiranë si dhe telefonatave të herë pas hershme Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale për të ndërrmarrë veprimet përkatëse ligjore për detyrimin e këtij institucioni për dhënien e informacionit publik, ACQJ është kontaktuar nga ky i fundit gjatë muajit shtator. Komisioneri deklaron se në rrethana të tilla, ku Bashkia Tiranë ka premtuar informimin, por që ende nuk e ka realizuar, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbetet i pafuqishëm për të vepruar dhe e vetmja mënyrë për të marrë informacionin është që të kontaktojmë me Bashkinë Tiranë dhe të rikujtojmë në mënyrë të vazhdueshme atë.

Vetëm në datën 18 shtator, Bashkia Tiranë, pas kryerjes së pagesës përkatëse, vuri në dispozicion të ACQJ-së informacionin e pritur përmes një CD, e cila supozohej të kishte në brendësi të saj: Kopje të Oponencës teknike, aktin e vlerësimit në themel të objektit dhe kopje të vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e detyruar të këtij Objekti. Por në këtë përgjigje të supozuar nuk jepej asnjë koment nga Bashkia Tiranë në lidhje me pyetjet mbi të ardhmen e hapësirës në të cilën është ndërtuar pallati nr. 415/1, në Rrugën “Ferit Xhajko” pas demolimit të këtij të fundit dhe as kontratën e lidhur me kompaninnë NET-Grup SHPK e cila ka kryer ekspertizën e vlerësimit të objektit.

Pas konsultimin me materialet e përftuara nga ky institucion u konstatua se CD e vënë në dispozicion nga Bashkia Tiranë ishte bosh dhe në të nuk ndodhej asnjë material. Ky fakt i është vënë në dukje në mënyrë të menjëhershme si Bashkisë Tiranë ashtu edhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Bashkia Tiranë e ka kundërshtuar këtë fakt, ndërkohë që nga ana e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka ende një reagim. Prej nisjes së procesit të kërkimit të informacionit, kanë kaluar më shumë se tre muaj e gjysmë, duke shkelur çdo afat të parashikuar në Ligjin për të Drejtën e Informimit si dhe parimet bazë për informimin e publikut. Por gjithësesi, ACQJ vijon të qëndrojë në pritje të këtij informacioni për të cilin është kryer tashmë pagesa ndaj Bashkisë Tiranë. Ajo që vlen të theksohet është fakti se i gjithë informacioni i kërkuar, duhet të ishte publik në çdo moment në portalin online të Bashkisë Tiranë, pa nevojën e marrjes së këtij informacioni kundrejt pagesës.