Arrestimi në 8 tetor i Xhafer Deliut nga policia e Elbasanit, ka sjellë zbulimin e arsenalit të armëve në banesën e Luis Gaxhit dhe Rigers Spahiut,i cili rezultoi të jetë vëllai i Ardian Spahiut, të vrarë në Belgjikë. Xhafer Deliu, duhet të qëndronte në arrest shtëpie,por në momentin e arrestimit ai shpërndante kokainë në disa zona të Elbasanit. Me shpresën e gjetjes të listës së klientëve,policia ka verifikuar telefonin e Xhafer Deliut.

Mësohet se në rubrikën “Delete” të fotove të fshira, janë gjetur dhjetëra fotografimi mes të cilave dy foto të Elton Kilës (Otit) dhe Abedin Mama ose siç njehet në Elbasan si “Dine Çami”.

Të dy këta personazhe dalin në dëshminë e bashkëpuntorëve të SPAK Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës,si individë që monitoroheshin për tu ekzekutuar nga grupi i Dumanit që financohej nga Erjon Alibej dhe Ardjan Spahiu.

Deliu, është marë në pyetje për prezencën e dy fotove në telefonin e tij,por ka treguar se “Otin” e ka të njohur dhe ja ka dërguar vetë ai.

Ndërsa për prezencën e fotos së “Dine Camit” mësohet të ketë pohuar se dikush tjetër mund tja ketë dërguar,por nuk e kujtonte.

Për prezencën e fotove në telefon, është marrë në pyetje nga policia e Elbasanit Elton Kila,i cili ka shpjeguar në polici se Xhafer Deliun nuk e ka njohur asnjëherë.Madje as numër telefoni nuk i ka pasur dhe normalisht nuk i ka dërguar asnjë foto të tij. Nisur nga kjo dëshmi policia e Elbasanit, ka ngritur dyshime të forta se Xhafer Deliu, gjatë muajit shkurt-mars 2022, ka shërbyer si një nga informatorët e Nuredin Dumanit,për lëvizjet e Otit të Elbasanit.

Këto dyshime të forta janë ngritur jo vetëm nga fakti i gjetjes së fotove në telefon,por edhe për shkak se Deliu rezulton të jetë kushëri i Erjon Alibejt.

Nga ana tjetër dyshimet për një informator të mundshëm të Deliut, janë shtuar edhe për faktin se Nuredin Dumani, në dëshminë e tij tregon se:

“…një informator i imi në Elbasan kishte zbuluar bazën ku fshihej Talo Çela dhe njeriu që e furnizonte me ushqime ishte “Oti i Elbasanit…”.

Duke ndjekur këto dyshime të forta për një grup të mundshëm vrasësish me pagesë,policia e Elbasanit ka filluar të kryejë mbledhje informacioni të njerëzve të rrethit shoqëror të Xhafer Deliut.

Në përgjime parandaluese dhe ndjekje operative, janë pikasur Rigers Spahiu dhe Luis Gaxhi,ky i fundit me profesion elektroaut.

Është marë informacioni se këta persona bisedonin për lëvizjen e disa sendeve nga njëra bazë në tjetrën,ndaj dhe policia ka ndërhyrë me kontrollin e një banese në lagjen “Gurabardh” të Elbasanit.

Pikërisht në këtë banesë është gjetur një arsenal i tërë me armë, si automatikë,pistoleta, silenciatorë dhe mina C4.

Ndërsa pas zbulimit të bazës,policia arrestoi Luis Gaxhin dhe Rigers Spahiun.

Ky i fundit akuzohet për Përkrahje të Luis Gaxhit dhe Kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.Ndërsa Luis Gaxhi për “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve”./Ora news