Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore ka intensifikuar kontrollet, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkool testues dhe dronë, në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.

Në fokusin e kontrolleve të përqendruara janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mos rregullimi i shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara, sjelljet agresive dhe manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripave të sigurisë, si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjeteve.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar dhe ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit, 83 drejtues mjetesh dhe janë ndëshkuar me masë administrative 2839 të tjerë, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Aktualisht ka filluar kthimi nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinës, duke bërë që fluksi në akset rrugore nacionale dhe në hyrje të Tiranës të jetë i shtuar dhe në disa segmente i pandërprerë, por pa pengesa dhe pa krijuar radhë.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri. /a.a/