Sipërmarrësi nga Kosova, Burim Piraj ka bërë një gjest tepër të veçantë, pasi si rrallëkush i jep çdo punonjësi të kompanisë së tij rrogën e 14-të.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se fillimisht jepte pagën e 13-të, më pas fal rezultateve të mira, dha dhe pagën e 14-të. Gjithashtu, Piraj zbuloi se punonjësit kanë të paguar dhe mëngjesit dhe drekën, të cilat i konsumojnë në kompani.

Në rast se bëhen prindër, ata marrin dhe një shpërblim 1 mijë euro.

“Në 2016 vendosa që shpërblimet të  kalojnë në një pagë që ishte paga e 13-të. Më vonë vendosa dhe një pagë të 14-të. Edhe këtë vit kemi vazhduar në të njëjtën mënyrë dhe punëtorët e kanë pritur disi më ndryshe, ndoshta dhe për shkak të liberalizimit të vizave, pasi të gjithë mendonin se punëtorët do të largoheshin. Unë kam 80 punëtorë dhe paga është e plotë, përveç atyre që e kanë pagë me normë, sepse e kanë me normë dhe e kanë shumë të lartë dhe i japim një pagë standarde, ndryshe nga të tjerët që e kanë si rrogën e tyre.

Gjithashtu, mëngjesi dhe dreka e paguar nga kompania për të gjithë punëtorët. Ne këto rezultate i shohim në praktikë dhe zhvillimi i kompanisë është shumë i lartë. Shpesh si shqiptarë themi nuk mundemi, nuk ia dalim, por duhet t’i tregojmë botës që dhe ne ia dalim, prodhojmë prodhime cilësore si e gjithë bota.

Kemi një rregull, që ata punëtorë që dalim nga kompania nuk mund të rikthehen më. Pagat i japim dhe për punonjësit që bëhen prindër, madje i shpërblejmë dhe me 1 mijë euro. Këtu janë bërë prindër 8 punëtorë dhe i kemi dhënë shpërblim”, u shpreh sipërmarrësi./abcnews.al