Anëtari i Bindjes Demokratike dhe ish anëtar i këshillit bashkiak Tiranë, Fabian Topallaj në një intervistë për MCN në lidhje me situatën që është duke ndodhur brenda Partisë Demokratike ditët e fundit, u shpreh se çështja përfundon me ndarjen e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Sipas Topallajt ai që do të mbajë vulën dhe siglën mes dy liderëve do të testohet pas dy vitesh në zgjedhjet lokale. Teksa e cilësoi një luftë personale mes Bashës dhe Berishës zhvillimet e fundit, Topallaj tha se sheh që është thyer një marrëdhënie hipokrizie brenda opozitës që nëse do të vazhdonte do të linte partinë në opozitë.
Intervista e plotë:
Z. Topollaj, e nisim këtë bisedë me pyetjen. Çfarë po ndodh brenda së djathtës?
-Sot që Basha ka përjashtuar Berishën ka një luftë për të marrë drejtimin e PD-së dhe opozitës shqiptare. Nga të dy palët është një luftë personale. Ka qenë bashkë dhe tani po luftojnë kush të mbajë fronin nën llogoren e tij. Lufta është e papabarabartë sepse Basha lufton vetëm për siglën dhe vulën, kurse Berisha do të marrë të gjithë partinë bashkë me siglën dhe vulën.
Berisha ka më shumë njerëz se Basha, por ky i fundit e ka më të lehtë të mbajë siglën dhe vulën pasi dominon institucionet e PD dhe tani ai lufton vetëm për të mbajtur vulën e siglën.
Unë them që çështja përfundon në ndarjen e Berishës me Bashën. Berisha do t’ia njohë vet gabimin. Rëndësi ka që ai që mban vulën dhe siglën do të jetë dominanti i partisë derisa të testohet në zgjedhjet lokale.
-Kush mendoni se ka të drejtë në këtë luftë?
-Të dy palët po bëjnë luftë personale. Po mundohen të forcojnë pozitat e tij. Të mirë shoh që është thyer një marrëdhënie hipokrizie brenda opozitës që po të vazhdonte ashtu opozita do e kishte vendin në opozitë për një kohë shumë të gjatë. Pas 9 shtatorit ka nisur një luftë që mund të bëjë opozitën shqiptare shumëngjyrëshe. Opozita ka vuajtur shumë sepse monopoli ka qenë i kapur nga dy njerëz. Ndaj ka humbur dhe 3 zgjedhje.
-Si e konsideroni kuvendin Kombetar të mbajtur nga Berisha dhe vendimet e dala prej tij një prej të cilëve ishte edhe krijimi i Komisionit të rithemelimit të PD-së?
Mendoj që dje u dhanë dy prova të qarta që Berisha e ka të pamundur të marrë PD dhe udhëtimi tjetër po vazhdon të krijojë një parti tjetër. Vendimet që ka marrë Kuvendi do të regjistrohen në gjykatë. Berisha ka thënë që do ndjek rrugën gjyqësore për të njohur Kuvendin e tij. Ka një problem Berisha do shkojë të thotë që kam këtë nr delegatësh, ndërkohë një javë më vonë do të shkojë dhe Basha me 5000 emra të tjerë, gjykata është një institucion formal dhe e ka të vë3shtirë ti vërtetojë. por kjo ka vetëm një rrugë secili do të vazhdojë rrugën e tij. Berisha nuk e lëshon zyrën e ka treguar që nuk e lë zyrën e PD. Nëse sherri vazhdon është dëmi më i madh që i ndodh opozitës. Rama është më i rehatuari tani sepse të gjithë po merren me opozitën. Më e frytshme është të ndahen në dy llogore të ndryshme sepse çdo përpjekje tjetër është e pafrytshme.
-Pas vendimeve që u firmosën në Kuvendin Kombëtar patëm një reagim të Bashës. Ai e cilësoi ilegjitim dhe mblodhi kryesinë dhe në fund vendosi për të shkarkuar kreun e këshillit Edi Paloka dhe të gjithë drejtuesit e grup seksioneve dhe degëve që iu bashkuan Berishës. Si e sheh lëvizjen e Bashës?
-Patjetër dhe ai do ti shkarkojë. Në këtë luftë bëhet kush do të marrë vulën dhe pavarësisht se Berisha ka më shumë mbështetës, mbajtja e vulës është juridike. Nëse çështja shkon në Gjykatë ajo nuk ka asnjë mënyrë të vërtetojë. Në këtë rast Gjykata shkon pyet kreun e PD dhe ndaj them që Basha është i favorizuar.
Basha mblodhi sot Këshillin Kombëtar. Çfarë mund të presim më pas?
-Basha po pritet të bëjë reagimin e tij, e tërë lufta bëhet për opinionin publik. Në datë 18 ai ka një sfidë.
-Është kjo një luftë personale e të dy liderëve apo një përpjekje për të nxjerrë të ri-ngritur të djathtën?
Unë e konsideroj këtë përplasje më mirë se sa kur kishte rënë në letargjinë opozita. Dukej sikur PD nuk kishte qëllim të vinte në pushtet. PD pas ndarjes nuk do të ketë më monopolin e partisë kryesore opozitare, por do të japë mundësinë të krijohen dhe parti të tjera opozitare.