Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi, deklaron, se “ne nuk e kontrollojmë dot më pandeminë”. Çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, në një konferencë shtypi (12.03) tha se situata epidemiologjike në Mal të Zi është shumë serioze dhe komplekse.
“Ne nuk e kontrollojmë dot më epideminë, sepse numri i të prekurve me virus dhe atyre që humbasin jetën është vazhdimisht në rritje. Ai tha se çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën. Numri i pacientëve të prekur me koronavirus gjatë tërë ditëve të javës së shkuar është mbi 500, ndërsa ai i vdekjeve 64 “.
Sipas Galiq rreth 13 përqind e popullsisë së Malit të Zi janë të prekur me koronavirus e kësaj i shtohet edhe transmetimi lokal, që po ashtu shënon rritje.
“Rastet e regjistruara rishtas të infeksionit në lidhje me numrin e testuar është 28.7 përqind. Në mënyrë që të jemi në gjendje të themi se ne ee kontrollojmë epideminë, ky raport duhet të jetë pesë përqind. Kjo flet për masën, në të cilën ne nuk e kontrollojmë epideminë”, tha Galiq.