Situata kritike me migrantët në kufijtë e jashtëm të BE ka bërë që kancelarja në detyrë, Angela Merkel të zhvillojë një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin të mërkurën.

Për shkak të situatës dramatike në kufijtë e jashtëm të BE, kancelarja në detyrë, Angela Merkel ka zhvilluar një telefonatë me presidentin Putin të mërkurën për gjendjen në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë. Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, Merkel i ka thënë Putinit se “instrumentalizimi i migrantëve” nga Bjellorusia është johuman dhe i papranueshëm. Ajo i është drejtuar Putinit që të influencojë në këtë krizë ndaj regjimit autoritar të Lukashenkos.

Kremlini kishte fajësuar më parë BE për krizën e migrantëve në kufirin polak-bjellorus, duke thënë se BE po dështon në respektimin e vlerave të saj humanitare. Por BE dhe qeveria polake akuzojnë pushtetmbajtësin bjellorus, Aleksander Lukashenko, se po lejon qëllimisht fluturime të njerëzve nga zonat e krizës për t’i kontrabanduar ata në BE. Gjendja në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë mbetet e tensionuar.