Situata në Gjirokastër paraqitet kritike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.Përroi i Ficos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në disa zona të qytetit. Ujërat e rrëmbyeshëm kanë vërshuar në rrugë, duke marrë përpara automjete dhe duke përmbytur banesa e biznese.
Lagjja Varrosh është ndër zonat më të prekura, ku rrjedha e përroit të Ficos ka marrë përpara një automjet të parkuar pranë zonës muzeale, shumë afër shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare.Përmbytje të rënda janë regjistruar edhe në lagjen e poshtme “18 Shtatori”, ku rreth 50 biznese janë përmbytur, si dhe disa banesa.
situata është përkeqësuar nga dalja nga shtrati e përroit të Çullos dhe e përrenjve të tjerë malorë, të cilët kanë shkaktuar vërshime të fuqishme në rrugët e qytetit dhe zona të banuara. Niveli i ujit është rritur ndjeshëm edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit.
Në Bllokun e Furrave, lagjja Punëtori, një djalë 23-vjeç është shpëtuar mrekullisht nga mbytja, pasi u nxor nga ujërat e rrëmbyeshëm nga shërbimet zjarrfikëse.
Situata u rëndua më tej nga dalja nga shtrati e liqenit të Viroit, ku uji ka vërshuar në aksin kombëtar Gjirokastër–Tepelenë, duke shkaktuar probleme serioze në qarkullimin e mjeteve.
Si pasojë e motit të keq, për disa orë gjysma e qytetit ka mbetur pa energji elektrike. Deri më tani nuk raportohet për evakuime, por dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe situata nga përmbytjet në Gjirokastër vijon të mbetet problematike.






