Gazetari Blendi Fevziu është parë teksa dilte ditën e sotme nga godina ku ka zyrën ish-Kryeministri Sali Berisha dhe pak minuta pas tij ka dalë nga godina edhe ish-lideri historik i PD-së.
Nuk është e konfirmuar ende nëse ka pasur një takim mes palëve, por këto lëvizje vijnë një ditë pasi Kreu i PD-së, Lulzim Basha vendosi të përjashtojë përkohësisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ish-Kryeministrin Berisha.
Basha tha në një konferencë të jashtëzakonshme ditën e djeshme se e kishte shumë të vështirë ta merrte këtë vendim, por nuk kishte rrugë tjetër.
I ashpër ka qenë nga ana tjetër reagimi i Berishës menjëherë pas shpalljes së vendimit. Ish-kryedemokrati u shpreh se Basha nuk ka pyetur grupin për këtë vendim por është një vendim personal i tij, që për Berishën është tërësisht i gabuar dhe se është një vendimi marrë në bashkëpunim me Ramën.
Tashmë ky vendim ka trazuar jo pak ujërat në Selinë Blu, teksa demokratët kanë filluar të mbajnë anë, disa janë deklaruar publikisht pro Berishës, si Flamur Noka, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Edi Paloka, etj, por ka nga ata që thonë se ky ishte vendimi i duhur.