Në Mal të Zi vazhdojnë tensionet pas shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje ndërkohë për zbutjen e tensioneve.
Ceremonia e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, metropolitit Joanikije në Cetinje në Mal të Zi, e cila u shoqërua me trazira të shumta nxorri në pah edhe njëherë ndasitë që ekzistojnë në shoqërinë malazeze ndërmjet përkrahësve të Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj të Malit të Zi, por edhe përplasjet mes udhëheqësve shtetërorë.
Situata aktualisht është më e qetë në kryeqendrën historike të Malit të Zi, Cetinje, por zhvillimet e fundjavës vazhdojnë të mbeten në qendër të vemendjes dhe të komentohen nga politika dhe analistët.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje ndërkohë për zbutjen e tensioneve.
Për qeverinë malezez aksioni ishte i suksesshëm
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq në një konferencë me gazetarë tha se ,,ngjarjet në Cetinje treguan se Mali i Zi gjendet në një situatë komplekse dhe delikate. Qëllimi i asaj çfarë ndodhi ishte destabilizimi i vendit, nxitja e trazirave dhe kaosit”.
Sipas tij falë aksionit të vendosur të drejtorisë së policisë dhe bashkëpunimit me ushtrinë çdo gjë përfundoi me sukses.
Zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq i angazhuar në sektorin e sigurisë uroi përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtorinë e policisë për rezultatet e arritura në aksionin e ndërlikuar me qëllim të ruajtjes së paqes dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Ndërsa Fronti Demokratik i ka bërë thirrje kryeministrit që të shkarkojë këta zyrtarë të lartë, për të cilët thotë se kanë refuzuar që të zbatojnë vendimet e qeverisë. Një hap i tillë do të thellonte edhe më tej ndasitë në radhët e partnerëve të koalicionit qeverisës.
Nga ana e tyre deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të Presidentit, Milo Gjukanoviç kanë kërkuar interpelancë në Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, me pjesëmarrje të krerëve shtetërorë dhe ministrave të dikastereve përkatës. Sipas tyre duhen përgjigje për përdorimin e gazit lotsjellës, shok-bombave dhe fishekëve që janë përdorur kundër qytetarëve, të cilët kanë protestuar paqësisht.
Askush nuk ka fituar
Askush nuk ka fituar nga trazirat e fundit në Malin e Zi, thonë analistët politikë.
Sipas Zlatko Vujoviq, kanë humbur qytetarët e Malit të Zi, sepse ndasitë janë thelluar dhe ne si qytetarë duhet te vazhdojmë të jetojmë pavarësisht nga ndasitë fetare dhe kombëtare e këto ndasi do t’i sjellin dëme paqes, harmonisë dhe qetësisë në të cilën qytetarët e Malit të Zi jetojnë.
“Mendoj se çdo gjë mund të shmangej me mosmbajtjen e shugurimit. Këtë e them kur kemi parasysh se në Cetinje nuk ka besimtarë që e përkrahin Kishën Serbe Ortodokse, e kjo ka mundur të mbahet në Podgoricë.”
Shugurimi i metropolitit Joanikije në Cetinje u shoqërua me protesta
Edhe drejtoresha e Qendrës për Edukimin Qytetar, Daliborka Ulareviq duke komentuar ngjarjet që përcollën shugurimin e Joanikijes në Cetinje, thotë se shteti është duke humbur, ndërkaq ndarjet ekzistuese në shoqërinë malazeze janë të thella dhe të dhimshme.
Ajo vlerëson se kjo ngjarje tregoi se politikanët malazezë nuk i japin përparësi interesit publik dhe kjo është arsyeja përse shoqëria dhe shteti janë duke humbur. Humbje politike pësuan të gjithë aktorët politikë, disa me shumë e disa më pak përfshirë këtu dhe vetë Kishën Ortodokse Serbe, thkeson Ulareviq.
DW