Ndërtimi i kësaj prite është bërë për përfitime private nga ana e kësaj firme ndërtimi,që ka dërguar në zonë edhe skrepat për të tërhequr inertet e lumit. Nga pamjet filmike duket qartë katastrofa natyrore që ka ndodhur mbi shtratin e këtij lumi, ku në çdo cep të tij duken pirgje të mëdha inertesh,të nxjerra nga skrepat e firmës.
Pas denoncime të bëra nga banorët e zonës për këtë skandal,3 ditë më parë policia e Elbasanit ka arrestuar në flagrancë njërin nga pronarët,shtetasin Edmond Malkja, 65-vjeç dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë pronarin tjetër, shtetasin Dylejmen Zeka,60-vjeç.
Akuzat e ngritura nga policia për dy shtetasit e sipërpërmendur ishin për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm” të kryer në bashkëpunim dhe për qëllim përfitimi por Gjykata e Elbasanit e nxori pronarin e arrestuar me “detyrim paraqitje”.
Me gjithë veprimet ligjore të ndërmarra nga policia për këta shtetas,firma jo vetëm që ka vijuar përgjatë çdo nate punën në shtratin e lumit Shkumbin por edhe ka kërcënuar banorët që të mos e ngrenë zërin për tu ankuar.
Jashtë kamerave, banorët shprehen se,kanë frikë të flasin dhe aq më tepër të bëjnë denoncime të tjera në polici pasi vetë pronarët kanë lidhje të ngushta politike me drejtuesit më të lartë tê qarkut dhe me drejtues të policisë.
Njëri prej banorëve të fshatit Grifshkë, ka deklaruar se,firma jo vetëm që nuk i ka pyetur apo u ka dhënë shpjegime se çfarë po ndërtohej por ka shkatërruar të gjithë zonën,duke tjetërsuar shtratin e lumit Shkumbin për të marrë në të inerte.
Ndërtimi i kësaj rruge të ndërtuar mbi lumin Shkumbin,pikërisht në fshatin Grifshkë, ka penguar rrjedhën natyrale të ujit të lumit,duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe përmbytjen e tokave bujqësore dhe shtëpive të banorëve që ndodhen në të dyja brigjet e lumit.