Ceremonia e nderimit të Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha, për vendosjen e yllit të nënkomisarit mes yjeve të Murit të Kujtesës së Policisë së Shtetit u mbajt në kushte aspak të zakonshme paraditen e sotme.
Si mos të ishin informuar aspak për motin, të pranishmit e ulur në oborrin e Ministrisë së Brendshme por edhe kryeministri Rama që ishte i pranishëm dhe mori fjalën para tyre, u bënë qullë nën shiun e rrëmbyeshëm.
Ndaj dhe kryeministri e përshpejtoi fjalimin e tij teksa nënvizoi se fëmijët e oficerit të ndjerë të policisë nuk do të jenë vetëm por nën përkujdesjen e shtetit derisa të dalin vetë në jetë.
Rama: Sot ne jemi këtu për të mbajtur ceremoninë e vendosjes së yllit në murin e kujtesës së Policisë së Shtetit pranë yjeve të gjithë dëshmorëve të trupave tona të rendit e sigurisë në harkun e këtyre viteve.
Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim, që në gjithë morinë e atyre yjeve në atë mur, në këto vite, numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Nga ana tjetër statistikat s’kanë rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa gjithë jetët kur ajo humbet.
Nuk dua të zgjatem se besoj që ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë se sa të gjitha fjalët dhe ndjenjat tona.
- Ra në krye të detyrës, qeveria i akordon 5 mln lekë ndihmë financiare familjes së nënkomisarit Hoxha
Dua të them se sidoqoftë ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm. Ne do të përkujdesemi për ta siç kemi nisur për familjet e tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të dalin me këmbët e tyre në jetë.
“170% e pagës për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjet, natyrisht që as ato 50 mijë lekë nuk thonë asgjë, por sidoqoftë është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar përdore jo vetëm nga nëna, gjyshërit, por dhe nga shteti, nuk do i mungojë asgjë njësoj sikur babai të ishte në jetë, përveç mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson dot. Lavdi dëshmorëve të atdheut që sot iu bashkohet dhe ylli i Saimirit.”