Mediat greke kanë publikuar këtë të martë vendimin e Gjykatës greke për lirimin e dy anetarëve të grupit kriminal shqiptar “Lions” të akuzuar në Greqi për shumë krime të rënda, përfshirë vrasje. Bledi Alushi, 19 vjec nga Fieri dhe Nektarios Karkalios, 24 vjec nga Greqia u arrestuan në 8 shkurt për disa ngjarje kriminale përfshirë tentativa vrasje. Për Alushin u ngritën akuzat “grup kriminal”, “vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe vecmas”, “armëmbajte pa leje dhe përdorim arme” dhe “përvetësim pasurie në bashkëpunim” ndërsa ndaj Karakalios akuza “vrasje e mbetur në tentativë”. Gjatë kontrolleve atyre i’u sekuestruan edhe 2 pistoleta e municon si dhe sasi eurosh.

Por Gjykata në Greqi i ka liruar të dy nën masën “detyrim paraqitje”. Sipas “Zougla”, shqiptari dhe greku janë pjesë e grupit kriminal “Lions” në Greqi, të përbërë nga shqiptarë ndërkohë që Nektarios Karakalios ka qenë më parë i arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Pëllumb Islamit nga Delvina, por ishte liruar sërish nga Gjykata. Madje dhe pas lirimit, sërish ishte arrestuar në dhjetor 2023 me armë dhe sërish ishte liruar.

Avokati i tyre, Janis Glykas, tha për “Zougla”: “Kjo është një dosje në të cilën autoritetet policore u përpoqën të bashkonin prova të shpërndara inkriminuese dhe çështje të tjera penale në pritje për t’u caktuar përgjegjësi penale klientëve të mi. Fillimi i përfshirjes së hetuar të klientëve të mi ishte tentativa e vrasjes ndaj gruas së një prej të pandehurve, e cila më pas tentoi ta inkriminonte. Pas kërkimit të faljes së tyre, klientët bindën për mospërfshirjen e tyre në akuzat e ngarkuara dhe u liruan”.

Ngjarjet për të cilat u arrestuan

Ngjarja 1

Më datë 21.01.2024, në zonën e Kolonos, në bordin e një automjeti ndodheshin Spartak Lato, Dimitrios Lato, Maria Lato, Kristina Tsakiri dhe një fëmijë 1 vjec. Në rrugën “Lenorman”, një grup prej 7 personash ndaluan mjetin në fjalë dhe sulmuan drejtuesin e mjetit Spartak Lako, me grushte dhe shkelma në mes të rrugës, ndërsa të paktën njëri prej tyre, i cili mbante një armë, e ka goditur me qytë në fytyrë. Gjatë sulmit, njëri prej autorëve, fillimisht i ka kanosur me pistoletë personat në mjet dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre, me qëllim vrasjeje, por pa i kapur dot. Nga deklarimet e dëshmitarëve dhe nga analiza e pamjeve filmike, rezulton se autorët e sulmit të armatosur janë Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios dhe të paktën 5 persona ende të paidentifikuar.

Ngjarja 2

Rreth orës 16:00 të datës 05.02.2024, në spitalin “Evangjelismos” është paraqitur shtetasja me një plagë depërtuese me armë zjarri në bark. I pranishëm në spital ishte edhe bashkëshorti i saj, shtetasi Nektarios Karakalios, i cili deklaroi verbalisht në polici se gruaja e tij qëlloi veten me armë zjarri në shtëpinë e tyre. Nga hetimi i rrethanave të plagosjes rezultoi se autori i vrasjes në tentativë ndaj saj është Nektarios Karakalios. Në vendin e ngjarjes ndër të tjera u gjet 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 karikator me kapacitet 30 fishekë pa gëzhoja.

Ngjarjet 3 dhe 4

Në orën 14:30 të datës 22.07.2022 në zonën e “Axarnon”, shtetasit Kristos N. Loukas, 28 vjec, Kristos P. Loukas, 28 vjec, Spirido Loukas, 32 vjec dhe dymbëdhjetë 12 persona ende të paidentifikuar, kanë shkuar në rrugën “Prespas nr. 67” në “Axarnon”, jashtë shtëpisë së Nikolaos Loutsa, 30 vjec, duke mbajtur karabina, pistoleta dhe shkopinj druri. Ata kanë qëlluar me qëllim vrasjeje me pasojë plagosjen në këmbë të Loutsës.

Pas hetimeve u arrestua Kristos N. Loukas dhe u shpallën në kërkim dy të tjerët.

Gjithashtu, më datë 14.06.22 në orën 22:00 Qendra e Veprimit të Menjëhershëm u njoftua për të shtëna nga persona të panjohur në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Menelaou Ludemi” dhe “Prespas Axarnai”, ku ndodhet kampi i Romëve Aulizas. Në rrugën “Psatha a.a”. punonjësit e policisë së ekipit “DIAS” gjetën një gëzhojë arme zjarri të kalibrit -1- 9 mm, e cila u sekuestrua.

Sipas ekzaminimeve laboratorike – krahasuese dhe gjurmëve të mjeteve dhe Shënimi Informativ i datës 02.08.2024, ka rezultuar se gëzhoja e gjetur në vendin ku ka ndodhur vrasja në tentativë e Nikolaos Loutsa dhe gëzhoja e arma e zjarrit kanë dale nga pistoleta e markës “69278” ZASTAVA, e cila u sekuestrua në rrugën “Gemelou nr. 118” në “Nikea”, në të cilën Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios kishin fshehur një pjesë e armatimit të tyre. Për rrjedhojë, dy nga bashkëpunëtorët e panjohur të autorëve të identifikuar në atë kohë janë Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios.

Ngjarja 5

Rreth datës 08-09.01.2024, Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios kanë qëlluar me armë zjarri të paktën shtatë 7 herë në drejtim të Bar Restaurant VENUS” në pronësi të Pëllumb Hasanit nga Babica e Vlorës, në rrugët “Paraskevopoulou” dhe “Giannari” në Patisia, e cila ishte e mbyllur në atë kohë. Për pasojë janë shkaktuar dëme, pasi xhamat e barit janë thyer si nga ana në rrugën “Paraskevopoulou” ashtu edhe nga rruga “Giannari”.

Nga dëshmitë e dëshmitarëve rezultoi se autorë të të shtënave janë Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios./abcnews.al