Shërbimi sekret grek ka përgjuar një gazetare dhe një politikan me emër të opozitës. Skandali mund t’i shkaktojë një krizë serioze kryeministrit Mitsotaqis.
Kryeministri grek është duke përjetuar ditët më të vështira të qëndrimit të deritanishëm në post. Vërtet që krizat nuk kanë munguar pas zgjedhjeve të 2019, por kjo e tanishmja ka të bëjë me një skandal përgjimesh dhe mund të kthehet në krizë serioze për Qiriakos Mitsotaqisin. Afera u zbulua nga gazetarët investigativë grekë.
Që muaj më parë u bë e njohur, se reporteri për çështjet financiare Thanasis Koukaqis ishte përgjuar me telefon. Në celularin e tij u identifikua prezenca e programit të përgjimit, të quajtur Predator. Javën e kaluar doli se gazetari vëzhgohej nga shërbimi sekret grek. Dhe jo vetëm tek ai, por edhe tek Nikos Androulaqis, kryetari i socialdemokratëve PASOK, partisë së tretë më të madhe të vendit dhe anëtar i Parlamentit Europian u vu re se ishin bërë përpjekje për t’i instaluar në celular programin Predator. Politikani europian nuk klikoi tek linku me të cilin do të ishte aktivizuar softwari, por informoi shërbimin e sigurimit kibernetik të Parlamentit të BE-së.
Androulaqis kërkoi përgjigje nga qeveria greke. Kështu ai mësoi se telefoni i tij ka qenë përgjuar për disa kohë nga shërbimi sekret, në periudhën kur ai pati kandiduar për kryetar partie. E përditshmja “Kathimerini” shkruante, se sipas shefit të shërbimit sekret grek Panajotis Kontoleon, shërbimet sekrete ukrainase dhe armene kishin kërkuar vëzhgimin. Ambasadorët e të dy vendeve e hodhën poshtë këtë pretendim duke dhënë deklarata me shkrim.
Dorëheqje në Athinë
Ditën e premte (5.08.2022) dhanë dorëheqjen dy persona me emër nga rrethi i ngushtë i Mitsotaqisit: Fillimisht dha dorëheqjen Grigoris Dimitriadis, shefi i zyrës së Mitsotaqisit dhe krahu i djathtë i tij. Njëkohësisht dhe nipi i tij. Pak më vonë dha dorëheqjen edhe vetë shefi i shërbimit sekret, Kontoleon. Të dy theksuan se kryeminstri nuk ishte informuar për vëzhgimet. Por, pas fitores në zgjedhje në vitin 2019, Mitsotaqis, i pati marrë përsipër vetë kompetencat për shërbimin sekret. Megjithatë qeveria nuk pranoi të ketë ndonjë lidhje me vendosjen e predatorëve dhe skandalet e përgjimit.
Ndërkohë Grigoris Dimitriadisi ka hapur padi kundër rrjetit gazetaresk Reporters United, i cili pati informuar për lidhjen midis ish-shefit të zyrës së Mitsotaqisit dhe firmës Intellexa. Kjo firmë izraelite shet në Greqi programin e përgjimit, Predator.
Mitsotaqisi thekson rëndësinë e shërbimit sekret
Të hënën (8.08.2022) në orën 14:00 foli për herë të parë edhe kryeministri: “Ne nuk durojmë hije në demokracinë tonë,” tha ai në fillim të deklaratës së dhënë me video dhe transmetuar nga televizioni shtetëror ERT. “Kjo nuk duhet të kishte ndodhur”, pranoi kryeministri duke folur vetëm për përgjimin e politikanit Androulakis, por jo për përgjimin e gazetarit Koukakis.
Kryeminstri nuk donte të merrte përsipër përgjegjësi personale për skandalet e përgjimit, por përmendi dorëheqjet e shefit të shërbimit sekret dhe “shefit të zyrës së kryeministrit”. Ai me mjeshtëri e shmangu formulimin për shefin e zyrës “sime”: “Unë nuk dija gjë për këtë dhe nuk do ta kisha lejuar një gjë të tillë,” tha kryeministri grek.
Mitsotaqisi vuri theksin tek roli i rëndësishëm i shërbimeve sekrete, i cili duhet kontrolluar më mirë në të ardhmen, në bazë të një plani katër pikësh. Ky institucion ndodhet para “sfidave të mëdha në Egje dhe Evros”, tha ai duke pasur parasysh konfliktet me Turqinë.
Pas përfundimit të deklaratës të kryeministrit, televizioni shtetëror, i kontrolluar nga kryeministri e kaloi transmetimin në një pikë karburanti, ku një klient i kënaqur njoftonte para kamerave se pas shumë muajve çmimi i benzinës ra nën kufirin e dy eurove.