Në dhunën e ushtruar ndaj familjes Kaçi në Hamallaj të Durrësit është përfshirë dhe punonjësi i gardës Martin Nikolli, i cili me detyrë dyshohet se është shofer i kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Konfirmimi për përfshirjen në konflikt të punonjësit të gardës bëhet nga vetë Policia, në një reagim zyrtar për ngjarjen. Faxweb.al ishte ndër të parët që transmetoi lajmin e përfshirjes së punonjësit të gardës në këtë konflikt, që çoi në disa persona të lënduar në radhët e familjes Kaçi.

Policia ka shoqëruar disa persona, dhe po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Si pasojë e dhunës janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi, njëri prej të cilëve në kokë, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të mirë. Pre e dhunës kanë rënë dhe gra e fëmijë.

Njoftimi:

Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N.

Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë.