Në dhunën e ushtruar ndaj familjes Kaçi në Hamallaj të Durrësit është përfshirë dhe punonjësi i gardës Martin Nikolli, i cili me detyrë dyshohet se është shofer i kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Konfirmimi për përfshirjen në konflikt të punonjësit të gardës bëhet nga vetë Policia, në një reagim zyrtar për ngjarjen. Faxweb.al ishte ndër të parët që transmetoi lajmin e përfshirjes së punonjësit të gardës në këtë konflikt, që çoi në disa persona të lënduar në radhët e familjes Kaçi.

Policia ka shoqëruar disa persona, dhe po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Si pasojë e dhunës janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi, njëri prej të cilëve në kokë, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të mirë. Pre e dhunës kanë rënë dhe gra e fëmijë.

Njoftimi:

Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N.

Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë.

Previous articleSherr mes dy fiseve në Hamallaj, rrihen brutalisht babai dhe 3 djemtë
Next articleNëse s’keni vendosur ende për pushimet/ Zbuloni vendin unik në Tokë, tre liqenet që ndryshojnë ngjyrën