Erion Murataj PSD

Një skandal i rëndë ka tronditur tregun shqiptar të ushqimeve, pasi kompania DIMAL ka importuar dhe shpërndarë në treg një sasi të madhe të mishit të kontaminuar me salmonelë. Përgjegjës për këtë situatë të rrezikshme është biznesmeni Mond Goxha, pronar i kompanive AMG FOOD dhe DIMAL INC, i cili ka lejuar me vetëdije që 18 tonë fileto pule të infektuara të shiten në tregun shqiptar, duke vënë në rrezik shëndetin e mijëra qytetarëve.

Më 11 mars, në Portin e Durrësit mbërriti ngarkesa prej 18.3 tonë fileto pule të ngrirë nga kompania AMG Food, e cila tregton produktet nën markën DIMAL. Inspektorët e AKU-së morën një mostër dhe e dërguan për analizë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) më 12 mars. Deri këtu, procedura dukej normale.

Por çfarë ndodhi më pas? Sipas rregullave, mishi duhej të izolohej deri në daljen e analizave, por AKU nuk ushtroi asnjë kontroll për të siguruar që kompania DIMAL nuk e nxirrte produktin në treg.

Përgjigjja e analizave doli më 21 mars, duke konfirmuar se filetot ishin të kontaminuara me salmonelë, një bakter i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Kur inspektorët e AKU-së shkuan për të bllokuar produktin, zbuluan se një pjesë e madhe ishte shitur tashmë! 13.1 tonë fileto me salmonelë ishin shpërndarë nëpër supermarkete dhe dyqane në të gjithë vendin. Vetëm 5.2 tonë u bllokuan, por pjesa tjetër kishte arritur në tryezat e konsumatorëve.

Në vend që të alarmonte konsumatorët për të mos blerë dhe konsumuar fileton e pulës së infektuar, AKU heshti për një javë të tërë! Asnjë njoftim për qytetarët për të shmangur blerjen e mishit të rrezikshëm. Asnjë urdhër për marketet dhe bizneset që të tërhiqnin produktin nga raftet. Asnjë transparencë mbi emrin e kompanisë përgjegjëse për skandalin. Asnjë shpjegim përse nuk u monitorua izolimi i mishit deri në daljen e analizave.

AKU u mjaftua vetëm me një njoftim të përgjithshëm, ku deklaronte se kishte referuar çështjen në Prokurorinë e Tiranës për “mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë”. Por pa përmendur emrin e kompanisë përgjegjëse!

DVP Tiranë/ Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.

Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të  salmonelës dhe në vijim të veprimeve  u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe  u proceduan penalisht  shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G.,  kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e  inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.