Prej disa kohësh Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim në lidhje me indicet e ardhura në rrugë të ndryshme se për t’u pajisur me pasaportë shtetasit nga Kosova jepnin ryshfet.

Informacionet kanë çuar në hetime intensive për të dokumentuar pretendimet e denoncuesve e për pasojë pretendohet se është bërë e mundur të zbulohen raste konkrete, shuma të ndryshme dhe zyrtarë të dyshuar si të implikuar.

Burimet zyrtare nga Prokuroria bëjnë me dije se së shpejti dosja do të përfundojë në Gjykatë dhe se zyrtarët e policisë të cilët janë në hetim janë 6 deri në këtë fazë hetimore. Kështu Të paktën 6 zyrtarë të policisë së kryeqytetit janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për korrupsion. Ata merrnin nga 50-200 euro për pajisjen e shtetasve nga Kosova me pasaportë.

Organi i akuzës kërkon arrest me burg për 2 prej tyre dhe pezullim nga detyra për 4 të tjerë. Burime bëjnë me dije se prokurori Bledar Valikaj po heton disa persona mes të cilëve zyrtarë të Policisë së Tiranës, të përfshirë në këtë skemë, të cilët zvarrisnin qytetarët për pajisjen me pasaportë.

Ndërkohë, janë evidentuar materiale dhe prova që vërtetojnë se zyrtarët merrnin në disa raste shuma të konsiderueshme parash në formë ryshfeti për marrjen e dokumentit që në raste të tilla jepet falas. Për kryerjen e këtyre hetimeve, janë siguruar prova që kanë të bëjnë me pamje filmike, përgjime dhe metoda të tjera të hetimit.

Ndërkohë që hetimi vijon për dokumentimin e plotë të skemës apo përfshirjen e personave të tjerë. Ende nuk ka të dhëna në lidhje me emrat dhe funksionet konkrete të zyrtarëve të Policisë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka qenë pjesë e hetimit dhe pritet të ketë edhe një reagim sa i përket shpërdorimit të detyrës dhe kryerjen e veprës së korrupsionit nga punonjësit e Policisë.