Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën për masë më të butë sigurie ndaj Alma Kaçit. 40 vjeçarja që u përfshi në skandalin seksual me ish kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, kërkoi ndryshim mase nga  “arrest shtëpie” në detyrim paraqitjeje, por kërkesa e saj u refuzua nga gjyqtarja Flora Haradinaj.

Dalja e videos në media çoi në dorëheqjen e Gjicit, e më pas në reagimin e Prokurorisë së Posaçme që urdhëroi arrest me burg për ish-Kryetarin e Bashkisë akuzuar për “korrupsion pasiv” dhe arrest shtëpie për Alma Kaçin e akuzuar për “korrupsion aktiv”.

Ajo po hetohet nga SPAK për akuzën e korrupsionit aktiv ndërsa kërkoi hetim në gjendje të lirë. Alma Kaçi dhe Safet Gjici u arrestuan më 24 qershor pasi akuzohen për korrupsion. Ne një video të publikuar në media, Alma Kaçi dhe Safet Gjici kryejnë marrëdhënie brenda zyrës së Kryetarit të Bashkisë Kukës, e më pas flasin për favorizim në një tender për sterizilimin e qenve.