Banorët e 21 pallateve në zonën e Kombinatit në Tiranë kanë protestuar gjatë ditës së sotme, për shkak se nuk e dinë ende se ku do t’iu jepen banesat në një kohë që godinat ekzistuese po shemben, me pretendimin se janë të pajetueshme.
Prej një viti e gjysmë ata kanë dalë jashtë banesave të tyre, të cilat fillimisht janë klasifikuar në shkallën e dëmtimit DS3, dhe marrin bonus qeraje, prej tërnetit të Nëntorit të 2019-tës.
Ata denoncojnë heshtjen e institucioneve lidhur me vendin ku do të ndërtohen banesat e tyre, që me shumë mundësi do të jenë në zonën e Vaqarrit, ndërkohë që mbetet në pikëpyetje projekti që ka qeveria dhe Bashkia për zonën ku janë vendosur 21 pallatet.
Sipas banorëve të pallatit, gjendja e godinës nuk ka qenë për t’u shembur, dhe ekspertët e huaj nuk e kanë klasifikuar në shkallën e dëmtimit DS4. Sipas asaj që thuhet nën zë, zona mund të përdoret për ngritjen e pallateve të reja, ndërkohë që banorët nuk dinë ende fatin e tyre.
“Unë e dua shtëpinë këtu ku e kam pasur, as gjermani nuk e bën këtë, i kanë rrejtur njerëzit, iu kanë thënë, sa veta jeni në shtëpi aq banesa do merrni. Aty ku prishet ndërtohet, ka dy vite që e ka shkatërruar kombinatin bashkë me Edi Ramën, bëri dallavere për të marrë vota, dhe tashmë nuk na jep asnjë zgjidhje. Disa i kanë besuar, disa të tjerë i kanë kërcënuar se nuk do tiu japin shtëpi.
I kanë mashtruar njerëzit, i rre mendja, se Edi Rama do iu japë të gjithë kurorave brenda familjes nga një shtëpi. A është Deliorgji a është Mane këtu nuk e dimë. Ne ku do të përfundojmë?! Mua më bëhet qejfi që të ndërtohet, po pse mos të marrim ne shtëpi këtu ku i kemi pasur, jo po do ta bëjmë lulishte“, shprehet një prej banorëve.
“Nuk i sheh ambasadorja amerikane këto që po bëhen? Lëreni atë tjetrin të hajë pensionin, unë dua hallin tim, dua që siç ma la mua baba një gjë, tia lëj dhe unë fëmijëve. Veliaj ti shohë mirë këto gjëra, mos të kujtojë se do bëjë të fortin, kur vjen për vota bën si burrë i mirë ai, ndërsa për prishje sjell administratorët”, thotë më tej banori.