Sezoni 2024-2025 rezultoi i dështuar për Skënderbeun, pasi në përfundim të sezonit të rregullt skuadra korçare zbriti nga Superiorja në Kategorinë e Parë. Që nga 27 prilli, ku Skënderbeu vulosi dështimin, në kampin korçar mbizotëron heshtja dhe deri më tani ka ardhur vetëm falja dhe keqardhja nga disa protagonistë të ekipit.

Për momentin, skuadra po vijon pushimet, që priten të jena të konsiderueshme, pasi edhe puna për sezonin e ri pritet që të fillojë nga fundi i muajt qershor. Në këto kushte, korçarët po “bluajnë” në heshtje dështimin e rëndë, ndërsa drejtuesit flitet se po punojnë për ndërtimin e Skënderbeut që të përfaqësojë fanellën bardhekuqe në Kategorinë e Parë për sezonin 2025-2026. Ndonëse ka zëra që presidenti Ardian Takaj do t’ia besojë sërish stolin drejtues trajnerit Ernest Gjoka, zyrtarisht mungon një vendim i tillë. Madje mungon edhe fjala e trajnerit kryeqytetas, i cili nuk u prononcua as pas ndeshjes së fundit me Bylisin, ku humbja në shtëpi u kushtoi zbritjen nga elita e futbollit shqiptar.

Enigmë mbetet se kush do të jetë e ardhmja e grupit të lojtarëve që mbylli kampionatin e fundit. Deri më tani, janë zyrtarizuar disa largime, si: Balaj, Sabo dhe Felipe, por lista mund të jetë edhe më e gjatë. Gjithçka pritet të mësohet kur Skënderbeu të nisë punën për edicionin e ri, ku gjasat janë që skuadra të grumbullohet më 25 qershor. Me fillimin e punës, pritet të shihet edhe fati i lojtarëve që Skënderbeu i ka pasur në huazim në sezonin e fundit, të cilët kanë kontribuar te Kastrioti, Kukësi, apo edhe klube të tjera në Kategorinë e Dytë. Gjasat janë që më të spikaturit të rikthehen dhe të rivishen bardhekuq, por gjithçka do të vendoset nga plani që do të kenë drejtuesit e klubit për formatimin e Skënderbeut të sezonit 2025-2026 në Kategorinë e Parë.