
“Përshëndetje! Ju lutem votoni Roxana Costin në këtë sondazh, ajo është vajza e një mikut tim, çmimi kryesor është një bursë për arsim falas për të gjithë vitin e ardhshëm, kjo është shumë e rëndësishme për të. Faleminderit shumë!”
Ky mesazh bashkangjitur edhe një link mbërriti të hënën në telefonin e shumë qytetarëve, në platformën WhatsApp nga persona që kishin të regjistruar si numër kontakti.
Nëpërmjet mesazheve të tilla e të tjera të ngjashme si ky, synohen të përvetësojë të dhënat tuaja personale.
Eksperti i IT, Erion Demiri këshillon që nëse një mesazh i ngjashëm si ky vjen në celularin tuaj, të mos klikohet dhe të mos bëhet asnjë veprim. Por çfarë duhet të bëjmë nëse kemi klikuar mbi link dhe të dhënat tona janë marrë nga dikush tjetër i panjohur për ne?
“Klikimi i vetëm një linku që ne na vjen në Whatsapp nuk përbën në vetvete një rrezik të madh sepse faqja që hapet kërkon pastaj të dhëna të tjera nga ne. Ku pastaj në mënyra të ndryshme mashtrimi na kërkohet të fusim një kod të caktuar dhe gjëra të tjera. Për këtë rast specifik mjaftojmë që ne të shkojmë te ato që i quajmë linked devices, pra që janë pajisje që ti i ke lejuar të lidhen me telefonin tënd dhe të hiqen ato pajisje që ne u kemi dhënë të drejtën për përdorim”, tha për A2 CNN, eksperti IT Erion Demiri.
Eksperti këshillon që kushdo që bie pre e këtij mashtrimi të bëjë denoncim në polici. Nga të dhënat që a2cnn ka siguruar, rezulton se vepra penale e krimit kibernetik gjatë vitit të kaluar ka qenë në rritje.
Në vitin 2024 janë evidentuar gjithsej 1,210 raste, 446 më shumë krahasuar me vitin paraardhës. Numrin më të lartë të regjistrimit të kësaj vepre penale e mban Tirana, për shkak edhe të numrin të lartë të popullsisë. Në Tiranë janë regjistruar 65% e rasteve. Në vend të dytë renditet qarku Vlorë me 9% dhe pasohet nga Elbasani me 8%.
Më pak raste të regjistruara në Shkodër, Dibër, Gjirokastër e Sarandë. Ndërsa qarku i Kukësit nuk ka regjistruar asnjë vepër penale që lidhet me krimin kibernetik.
