Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, do të zhvillojnë një konferencë për median në lidhje me Progres-Raportin e Komisionit Europian.
Raporti u publikua dje dhe vlerëson se Shqipëria duhet të punojë ende në reformën në administratën publikë, reformën e sistemit të drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Në të theksohet se gjatë periudhës së raportimit, nuk është bërë përparim sa i takon lirisë së shprehjes.
Sipas raportit, sistemi i drejtësisë është deri diku i përgatitur. “Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën tërësore në drejtësi, që ka çuar në përparim të mirë. Një moment i rëndësishëm ishte emërimi në fund të vitit 2020 i 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese” – theksohet në raport.
Gjithashtu shtohet se SPAK dhe Gjykata për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ngrejnë më lart aftësitë e tyre hetimore në ndjekjen e korrupsionit, ‘i cili mbetet një shqetësim serioz, sepse mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e private”.
Edhe patronazhistët përmenden në progres-raportin e BE për Shqipërinë
“Sipas OSBE/ODIHR, mbetet shqetësim në lidhje me keqpërdorimin e burimeve dhe funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike, duke përfshirë akuzat e përhapura për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale mbi preferencat politike të qytetarëve” – thuhet në raportin e Progresit të Bashkimit Europian.
Raporti Vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë do të prezantohet nga Sh.T.Z. Luigi Soreca, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.