
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha po prezanton programin e “PD-Shqipëria Madhështore” në biznesin e fasonerisë në Durrës.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati vijoi sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, për daljet e këtij të fundit ‘live’ në rrjetet sociale.
Duke marrë shkas që sot është 1 prilli, ndryshe e njohur si ‘Dita e Gënjeshtrës’, Berisha tha se “Sot e ka ditën e tij, problemi është se çdo ditë e ka 1 prill.”
Ndërsa në lidhje me programin elektoral, ai u shpreh se ‘me gërshërët e ligjit do të pritet dyndja e narko-euros’.
“Këto zgjedhje janë para së gjithash për ekonominë, ekonominë, ekonominë. Ne kemi përcaktuar ‘Made in Albania’, si krenaria kombëtare dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim prodhimin shqiptar. Të bëjmë gjithçka për suksesin e sipërmarrësit shqiptar. Të lehtësojmë në maksimumin e mundshëm barrën fiskale.Të mbrojmë eksportet. Ju jeni një sipërmarrje eksporti.
Unë e kuptoj vështirësinë e madhe që u krijon narkoeuro. Narkoeuro është një goditje shumë e rëndë për mijëra punonjës dhe sipërmarrje. Ata sjelln kontejnerë dhe vagona me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri. I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë. Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta.
Të kesh një rënie të euros në 35 përqind sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare pasi këto janë sipërmarrje që kanë të bëjnë me euron dhe shkëmbimi bëhet me euron. Në këtë kontekst, një bord i veçantë do ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë.
Ekonomia shqiptare ka nevojë për prodhim, prodhim, prodhim. Prodhimi në Shqipëri po bie çdo vit. Ka një rënie të dhimbshme sepse shoqërohet me humbjet e vendeve të punës të burrave dhe grave që detyrohen të marrin mërgimin si alternativë të vetme për të mbijetuar. Gjithashtu unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush, energjia elektrike do paguhet me 6 lekë.
Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Europë për biznesin. Ne e kemi pasur, nuk është se po bëjmë diçka të re. Do ta rikthejmë përsëri fuqishëm në mënyrë që t’i japim hapësirë më të madhe investimeve,por edhe të lehtësojmë biznesin. Natyrisht sistemi më i ulët i taksave është zotimi ynë. Taksa 10 përqind është taksa më e lashtë. Në Bibël dhe Kuran është taksa 10 përqind, më e drejta. Nuk duhet të synosh t’i marrësh tjetrit më shumë se 10 përqind taksën. Ka një moral njerëzor dhe ne i përmbahemi atij morali.
Ne jemi të bindur se ajo është taksa më e drejtë. Dhe gjithçka që është e drejtë, funksionon shumë më mirë.
Kur e vendosëm taksën e sheshtë në vitin 2005, ne na thanë se do e pësoni nga kjo gjë, do t’u falimentojnë financat. Mirë, u thamë ne FMN-së, ju rrini e shihni si po ecën dhe ne po e bëjmë. Ne e bëmë dhe në fund të 6 muajve, në arkën e shtetit, në buxhet erdhën 300 milionë euro më shumë se sa kishin ardhur me taksat e larta.
Pra, taksa e drejtë funksionon shumë më mirë. Lehtëson biznesin, ia lë paratë në konto biznesit dhe biznesi i përdor ato për të investuar, për të rritur rrogat, për të përmirësuar kushtet e punës.
Në këtë aspekt pra ne do krijojmë lehtësira të mëdha fiskale për biznesin“, u shpreh ai.
