Nisin homazhet në nder të aktorit Zef Deda, i cili u nda nga jeta të premten në Shkodër. Homazhet për mjeshtrin e humorit mbahen në hollin e teatrit “Migjeni”, aty ku edhe ka qenë shtëpia e tij e dytë.

Aktori ndërroi jetë në moshën 73 vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante prej kohësh. Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.

“Me dhimbje të thellë, ju njoftoj për ndarjen nga jeta të babait tim, Zef Deda. Homazhet do bëhen në hollin e Teatrit “Migjeni”, që ishte edhe shtëpia e tij e dytë, duke filluar nga ora 09:00. Pas homazheve, në orën 13:00, kortezhi niset për meshën e dritës, më pas përcjellja për në banesën e fundit, në varrezat e Rrmajit”, shkroi një ditë më parë djali i tij Julian Deda.

I njohur për rolet e tij, kryesisht si kunati i shokut Xhemal, apo për plastikën e jashtëzakonshme të një aktori shqiptar që mund të imitonte magjinë e Charlie Chaplin, Zef Deda do të mbetet në memorien e shqiptarëve si një ndër artistët e rrallë të skenës që la një pasuri të madhe./abcnews.al