Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka urdhëruar mbledhjen e seancës plenare të parlamentit për ditën e sotme në orën 10:00.
Rendi i ditës përfshin diskutimin dhe miratimin e një sërë projektligjesh dhe akteve normative që prekin fusha të ndryshme, nga ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare deri te ndryshimet ligjore për buxhetin dhe dokumentacionin personal.
Por përtej pikave të parashikuara në rendin e ditës së punimeve të sotme, përfaqësuesit e Opozitës në Kuvend pritet të rikthejnë në vëmendje problematikat e hasura në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku akuzon mazhorancën për grabitje të votave të shqiptarëve përmes bandave kriminale.
Pikat kryesore të rendit të ditës janë:
-Miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme, datë 29 maj 2025.
-Ratifikimi i marrëveshjes mbi të drejtën detare sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për ruajtjen dhe përdorimin e diversitetit biologjik detar jashtë juridiksionit kombëtar.
-Miratimi i ndryshimeve në ligjin e buxhetit të vitit 2025.
-Shtesë në ligjin për pajisjen me pasaportë të shtetasve shqiptarë.
-Shtesë në ligjin për letërnjoftimin elektronik.
-Ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për sigurinë ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës.
-Aderimi në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO).
-Ratifikimi i marrëveshjes së huas me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi-t.
-Marrëveshja për pjesëmarrjen në programin e Bashkimit Evropian “Doganat”.
-Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë me BERZH për projektin e OSHEE-së.
-Ratifikimi i marrëveshjeve të financimit me Komisionin Evropian për programet shumëvjeçare në fushën e punësimit, ekonomisë digjitale dhe energjisë për periudhën 2024-2027.
-Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.