Sot, në orën 10:00, do të mblidhet Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, ku pritet të futet në rend dite kërkesa e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Pasdite, në orën 16:00, çështja do të kalojë për diskutim në Këshillin Bashkiak.

Të premten, Veliaj i dërgoi një letër Këshillit Bashkiak duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli iu përgjigj se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim.

Veliaj replikoi duke i kujtuar se Sekretari nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial, pasi kompetencat e tij janë vetëm administrative.

Sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi. Ai thekson se nuk i është garantuar e drejta për t’u dëgjuar, ndërsa shtoi se prania e tij në sallë duhej të vendosej nga Këshilli Bashkiak, edhe pa kërkesën e tij. Për këtë arsye, Veliaj i kërkoi Këshillit që të shprehet me votë për pjesëmarrjen e tij.

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.

Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim.

Megjithatë, kjo nuk do të ishte fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës i jep të drejtë kryebashkiakut të ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh. Në këtë rast, vendimi i qeverisë pezullohet deri në shqyrtimin nga Gjykata. Edhe vetë Veliaj, në letrën e tij drejtuar Këshillit Bashkiak, linte të hapur mundësinë e ankimimit, duke e konsideruar shkarkimin një akt të pajustifikuar dhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë, si edhe theksonte se do ta mbrojë deri në fund kontratën e tij 4-vjeçare me qytetarët e Tiranës.  

Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.