Zhvillohet sot provimi i parë i maturës shtetërore. Rreth 27000 maturantë do të testohen sot në provimin e Gjuhës së Huaj.
Teza e provimit të Anglishtes hapet në orën 10:00 në të gjitha qendrat e provimit njëkohësisht, por maturantët duhet të paraqiten në ambientet e përcaktuara dy orë më parë.
Ata duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë), dhe të paktën 2 stilolapsa. Gjatë kohës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësishtë telefonat dhe ora smart.
Një ditë më parë Rezarta Alla, drejtuesja e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar në një intervistë për A2 CNN u bëri thirrje maturantëve që të lënë telefonat në shtëpi.
“Lini telefonat në shtëpi. Mos harroni kartën e identitetit, merrni dy stilolapsa dhe ndoshta një shishe ujë para se të hyni në provimin e parë të Maturës Shtetërore”.
Ajo u bën thirrje maturantëve dhe administratorëve të respektojnë rregulloren e provimit.
Për 2 orë e 30 minuta, maturantët duhet t’u japin zgjidhje 60 pyetjeve me alternativa dhe zhvillim. Teza e provimit përmban pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve, ndërsa 140 maturantë me aftësi të veçanta do të kenë teste të personalizuara.