Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka nisur sot seancën në dhomë këshillimi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, për rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit.

Në seancë do të vendoset nëse do të rinisë gjykimi për Fatmir Mediun, i cili akuzohet si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit me 26 të vdekur e qindra të plagosur.

Këtë të martë prindërit e një 7-vjeçari që humbi jetën në shpërthimin tragjik, kanë bërë një kërkesë në GJKKO ku kërkojnë që të nis hetimi ndaj Mediut. Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, janë prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, ndërsa në letrën për GJKKO ata shprehen dosja përmban shumë fakte që i hapin rrugë gjykimit.

Gjykimi ditën e sotme do të behet nga gjyqtari Erion Çela pa praninë e palëve.

Më poshtë kërkesa e plotë që familja Durda i ka bërë Gjykatës së Posaçme:

I nderuar Z. Gjyqtar,

Nga media jemi vënë në dijeni që më datë 27.07.2021 Gjykata e Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) për rifillimin e ndjekjes penale ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për rolin e tij në ngjarjen e shpërthimit të Gërdecit më 15 mars 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

SPAK ka bërë një përshkrim të fakteve dhe analizës juridike, por, në rolin e viktimave të krimit, bazuar në nenet 58 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, si dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në interpretim të nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), kërkojmë nga GJKKO të ketë në vëmendje faktet dhe argumentat e mëposhtëm:

Faktet

Faktet e mëposhtëm janë renditur fillimisht sipas mënyrës që ato janë konstatuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vendimin nr. 381 datë 12.03.2012, lënë në fuqi me vendimin nr. 138 datë 13.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë (pikat 1 – 26), dhe më pas sipas dokumenteve të tjerë provues që ndodhen në fashikull (pikat 27 – 36).

  1. Më 27 Dhjetor 2006, kompania Amerikane SAC (Sourthern Ammunition Company Inc) me president Patrik Henry III me qendër në Loris, South Carolina, SHBA, e krijuar në vitin 1974, e licensuar në SHBA, paraqiti një ofertë për demontimin e disa tipeve të municioneve të dala nga përdorimi i Forcave të Armatosura. Kjo ofertë erdhi pas kontakteve të realizuara ndërmjet presidentit të saj, shtetasit amerikan Patrick Henry III, me shtetasin Ylli Pinari, drejtor i Ndërmarrjes MEICO (Military Export Import Companny) të Ministrisë së Mbrojtjes (MM).

Kontaktet u realizuan me postë elektronike, telefon dhe takime të drejtpërdrejta në Tiranë. Në këto kontakte, shtetasi amerikan Patrik Henri III kishte shfaqur interes për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi, të kalibrit të vogël, që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj, me qëllim demontimin dhe demilitarizimin e tyre. Pas kontakteve të mësipërme, Drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, vë në dijeni Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me Memon nr. 1232/523, datë 05.07.2006 “Propozim për demontim industrial municionesh” për interesimin e kompanisë SAC inc., për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi, për demontimin dhe demilitarizimin, duke i sugjeruar se do të ishte me interes të jepeshin për këtë projekt fishekët që janë të vjetër dhe në pamundësi shitjeje, pa cenuar projektin NAMSA.

Ylli Pinari siguronte Ministrin e Mbrojtjes se nga ana ekonomike propozimi i SAC Inc. krijonte të ardhura për Ministrinë e Mbrojtjes dhe hapte vende pune. Gjithashtu ndërmjet Ylli Pinarit dhe shoqërisë SAC kanë vazhduar komunikimet me postë elektronike deri në datën 06.11.2006, ku Patrick Henry III përsërit interesimin për fillimin e projektit të demontimit.

  1. Në fillim të dhjetorit 2006, Ylli Pinari i ka sugjeruar shtetasit amerikan Patrick Henry III domosdoshmërinë e kryerjes së procesit të demontimit dhe demilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orientuar atë për të realizuar një takim të drejtpërdrejtë me Ministrin e Mbrojtjes, meqenëse deri në atë kohë kërkesat e tij nuk ishin vënë në lëvizje nga ky i fundit.
  2. Me shkresën datë 28.12.2007 Ministri i Mbrojtjes ia përcjell ofertën e datës 27.12.2007 të kompanisë SAC Inc. Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi, me detyrën që “të konsiderohet edhe mendimi juaj në një praktikë konform ligjit.”
  3. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, në Memon e datës 28.12.2006, të hartuar nga Drejtori i Logjistikës, Bardhyl Hoxha, i jep mendimin Ministrit të Mbrojtjes se qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i propozuar i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar, si për depozitim ashtu edhe për asgjësim municioni, sepse ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, pranë qendrave të banuara, si dhe nuk garantohet energjia elektrike, duke saktësuar gjithashtu se kjo kërkesë duhet të shoqërohet me një projekt demilitarizimi, duke garantuar transportin e municioneve, ruajtjen e pajisjeve dhe të rajonit ku do të kryhet demontimi.
  4. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Ardian Mullahi, këtë kërkesë me shënimin “urgjent” e ka kaluar në dy drejtime, me porosinë që pas mendimit të Shtabit të Përgjithshëm të hartohej një letër për kompaninë: (1) Drejtorisë së Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin pranë Ministrisë së Mbrojtjes (DHLMK) i ka kërkuar të studiojë ofertën dhe të parashikojë zgjidhjen e problematikës në lidhje me ligjet; (2) Ndërmarrjes MEICO i ka kërkuar që të japë mendimin për municionet e propozuara, nëse kanë interes shitjeje, si dhe sasitë përkatëse.
  5. Në kushtet kur VKM nr. 617, datë 04.12.2002 “Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjese të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura dhe për asgjësimin ose çmontimin dhe shitjen e tyre”, nuk e rregullonte shitjen e municioneve për qëllim demontimi, nga aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, për plotësimin e boshllëkut ligjor nisi përgatitja e një projekt vendimi të veçantë për Këshillin e Ministrave (KM).
  6. Në relacionin e projekt-vendimit analizohet leverdishmëria ekonomike e kontraktimit me SAC Inc, përparësia teknologjike kundrejt ndërmarrjeve të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse instalimi i kësaj teknologjie do të mundësonte demontimin e shpejtë e me leverdi të municioneve. Gjatë zhvillimit të kësaj procedure, Këshilli i Ministrave orientoi që në vend të një akti administrativ të posaçëm, të propozohej një akt normativ dhe KM të mos shprehej për një kompani të caktuar, por të përcaktonte rregulla standarde dhe të qendrueshme në kohë. Në këtë kuadër, në datën 05.03.2007, u dërgua për mendim një projekt-vendim i ri, në të njëjtat ministri. Projekti i dytë pasqyronte edhe vërejtjet e bëra gjatë shqyrtimit të projektit të parë.
  7. Në datën 14.03.2007, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave me VKM nr. 138 “Për procedurën e trajtimit të armeve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, vendosi të kryhet demontimi i municioneve luftarake, duke caktuar modalitetet e kryerjes së kësaj veprimtarie shtetërore.
  8. Më 25.04.2007 Ministri i Mbrojtjes nxori Urdhrin nr. 550 “Për zbatimin e vendimit nr. 138 datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Urdhri nr. 550, datë 25.04.2007 parashikon që ndërmarrjes MEICO t’i kalohet për shitje me qëllim demilitarizimin, sasia e municioneve të kërkuara nga kompania SAC. Sipas këtij Urdhri është përcaktuar që ndërmarrja MEICO të lidhë kontratën me kompaninë SAC, duke respektuar kërkesat e Kodit Civil, VKM nr. 138, datë 14.03.2007, si dhe çmimet e miratuara nga komisioni përkatës.
  9. Në zbatim të këtij Urdhri, ndërmarrja MEICO, nëpërmjet drejtorit të saj Ylli Pinari, ka lidhur kontratën me kompaninë SAC Inc. më datë 06.06.2007, me një vlerë totale prej 1.611.200 USD. Një ditë pas lidhjes së kontratës me ndërmarrjen MEICO, shoqëria amerikane SAC Inc., në datën 07.06.2007 ka lidhur kontratën me personin juridik shoqërinë “Albademil” sh.p.k, përfaqësuar nga Mihal Delijorgji, ortak dhe administrator kryesor i kësaj shoqërie, për blerjen prej saj të municioneve dhe realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, si dhe për shitjen e nënprodukteve të përfituara nga ky proces. Albademil u themelua si shoqëri nga shoqëria amerikane SAC Inc., për arsye se personi që duhej të kryente aktivitetin tregtar duhej të ishte i regjistruar në regjistrat fiskal vendas.
  10. Në datën 25.06.2007, Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes (DMIBM) Shkëlzen Madani, me autorizimin nr. 4242 autorizon Komandën e Forcës së Bashkuar, të lidhë kontratë qiraje me kompaninë SAC për një sipërfaqe prej 200 metra katror në repartin ushtarak Gërdec. Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtin Spahiu, ka lidhur kontratën e qerasë nr. 4342/1, datë 26.06.2007 me shoqërinë “Albademil”sh.p.k. Kjo kontratë është lidhur në bazë të VKM nr. 138, dt. 14.03.2007, pika IV/3 dhe UMM nr. 550, datë 25.04.2007, pika 4, germa “b”, ku thuhet: “KFB të hartojë kontratë për dhënien me qira sipas procedurave të parashikuara në VKM nr. 162, datë 07.03.2007, pika I, 6/a me kontraktorin (sipas pikës 1 “shoqërinë “Southern Ammunition Kompany Inc” që këtu e më poshtë do të quhet kontraktori”) dhe të lejojë ndërtimin në të të strukturës së përshtatshme industriale për çmontim dhe çmilitarizim (sipas grafikut kohor dhe planimetrisë përkatëse të miratuar)”. Shkëlzen Madani, me shkresën nr. 4285/1 prot., datë 27.06.2007, me lëndë “Autorizim për lidhje kontrate”, miraton lidhjen e kontratës së qirasë me shoqërinë Albademil sh.p.k. edhe për një sipërfaqe prej 66.5 m², brenda pronës nr. 126 – ish brigada e tankeve Gërdec – Vorë.
  11. Gjatë realizimit të kësaj kontrate (kontrata e parë), janë demontuar municione të kalibrave 7.62 mm, 8 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm. Këto municione silleshin nga makinat ushtarake dhe shkarkoheshin kryesisht në sheshin që ndodhej në krahun e majtë të postbllokut kryesor, në sheshin që ndodhej në krahun e djathtë të postbllokut kryesor, në sheshin përpara kapanonit të fabrikës, përpara zyrave të shoqërisë Albademil sh.p.k. dhe në një pjesë të sheshit ku ndodheshin kontenierët e barutit.
  12. I gjithë municioni shkarkohej në terren të hapur dhe jo në ambiente të mbrojtura nga dielli apo reshjet. Për sa i përket pajisjeve të tjera të punës ato ishin: leva dhe sqeparë që shërbenin për hapjen e arkave të municionit, pinca dhe dara që shërbenin për hapjen e kasetave metalike me fishekë dhe heqjen e fashetave siguruese të arkave të drurit, karroca metalike me një rrotë dhe me katër rrota që janë përdorur për transporte të ndryshme, thasë plastikë dhe kuti kartoni për ambalazhimin e barutit.
  13. Gjatë zbatimit të kontratës së parë nga kompania SAC është kërkuar të jepej mundësia e një kontrate tjetër për demontimin e municioneve të tjera të një kalibri më të madh, me gëzhoje tunxhi të kalibrave 20 mm deri 152 mm dhe të realizohet sërish në rajonin e Gërdecit.
  14. Për kërkesën e kompanisë SAC të datës 01.09.2007, ndërmarrja MEICO nëpërmjet drejtorit të saj Ylli Pinari, me shkresë nr. 1804/522, datë 06.09.2007, njofton Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ia përcjell këtë kërkesë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha “për veprim”.
  15. Më tej, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka nxjerrë Urdhrin nr. 2044, dt. 07.12.2007, me anë të të cilit urdhëron Komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Bahja, t’i kalojnë municionet ndërmarrjes MEICO, sipas indeksit bashkëlidhur këtij Urdhri, të përgatitur nga shefi i sektorit të Armatim – Municionit në Drejtorinë Logjistike në Shtabin e Përgjithshëm. Sipas pikës 8 të Urdhrit, ndërmarrja MEICO përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë, masave të mbrojtjes nga zjarri dhe të sigurisë së jetës dhe shëndetit të personelit të projektit gjatë procesit të demontimit dhe demilitarizimit të municioneve, në kushte të rrepta vëzhgimi e sigurie. Kjo pikë ishte në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në VKM nr. 138 datë 14.03.2007 i cili përcakton se procesi i demontimit do të kryhej nën mbikëqyrjes e rreptë dhe sigurinë ushtarake të Forcave të Armatosura. Në pikën 9 parashikohet që ruajtja e rajonit të Gërdecit të behet nga KFB dhe ndërmarrja MEICO.
  16. Kontrata e dytë është lidhur më datë 28.12.2007 përsëri midis ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC. Kontrata ka një vlerë totale prej 582.326 USD dhe është mbështetur në vendimin nr. 138 date 14.3.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës, dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
  17. Ndërsa në datën 31.12.2007 ndërmjet shoqërisë SAC dhe shoqërisë Albademil sh.p.k, është lidhur kontrata për blerjen prej saj të municioneve dhe realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, si dhe për shitjen e nënprodukteve të përfituara nga ky proces.
  18. Me shkresën nr. 8433/2, datë 26.12.2007, Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, i drejtohet Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm me një shkresë ku e informon se e ka të pamundur të sigurojë ruajtjen e rajonit të Gërdecit, pasi në zbatim të Urdhrit të MM nr. 1800, datë 22.10.2007, KFB më datë 25.10.2007 i ka dorëzuar ndërmarrjes MEICO, me dokumentacion të rregullt, pronën nr. 126 (Gërdec) dhe komponentët përbërës të saj. Sipas kësaj shkrese ndërmarrja MEICO kishte organizuar vetëshërbimin e ruajtjes së rajonit të Gërdecit dhe të objekteve që ndodhen brenda saj me kapacitetet e veta.
  19. Në ambientet ku zhvillohej veprimtaria, mungonin magazinat e liçensuara ku do të bëhej magazinimi i municioneve të dorëzuara nga FA. Punëtorët punësoheshin pa pasur parasysh asnjë kriter moshe (madje edhe të mitur), seksi, gjendje shëndetësore, kualifikim, njohuri në fushën e armatimit, apo më tej, në atë të demontimit, etj.
  20. Një ditë para shpërthimit, në datën 14.03.2008, në Gërdec kanë shkuar rreth 7 automjete ushtarake të ngarkuara me municion 100 mm blindshpues. Për shkak të orës së vonë të natës, këto automjete nuk janë shkarkuar gjatë natës, por të nesërmen në mëngjes. Shkarkimi i tyre ka filluar rreth orës 07.00 deri rreth orës 09.30 të datës 15.03.2008 dhe sasia e municionit të shkarkuar është lënë në shesh.
  21. Në datën 15.03.2008, pak përpara orës 12.00, në ambientet e mësipërme të repartit të tankeve në Gërdec, ka rënë zjarr duke u pasuar me disa shpërthime masive të lëndëve plasëse dhe djegëse. Punëtorët në pamundësi për të shuar zjarrin, pasi mungonin mjetet e posaçme, kanë filluar të largohen me shpejtësi në dy drejtime kryesore që ishin porta hyrëse dhe një portë anësore e kapanonit.

Përhapja e shpejtë e zjarrit ka bërë që një pjesë e punëtorëve që ndodhej në shesh, të digjeshin në pjesë të ndryshme të trupit (kryesisht në pjesën e shpinës). Mbas shpërthimit të ndodhur tek kapanoni, kanë vazhduar të tjera shpërthime të njëpasnjëshme, për shkak të sasisë së barutit dhe shtimjeve, të cilat ishin të shpërndara në shesh.

Këto shpërthime kanë vazhduar të dëmtojnë fizikisht punëtorët, të cilët ishin në largim e sipër. Shpërthimet kanë vazhduar të shtrihen në gjithë territorin e ish-Brigadës së Tankeve. Shpërthimet kanë qenë të fuqishme dhe të vazhdueshme, për shkak se në datën 15.03.2008, në ambientet ku zhvillohej ky aktivitetit ndodhej një sasi prej 1067.855 ton barut; djegore të tipeve të ndryshme 286.476 copë dhe predha municionesh/shtimjesh 4365,335 ton, me mbushje tritol (TNT) 795,609 ton. Lëndët plasëse dhe djegëse të mësipërme ishin të depozituara në ambientet e pronës nr. 126 (ish brigada e tankeve Gërdec Vorë). Shpërthimet e fuqishme erdhën në formën e një reaksioni zinxhir, që filloi me ndezjen e një thesi të mbushur me barut dhe vazhdoi me ndezjen e barutit që ndodhej aty pranë dhe kutive të municionit.

Zjarri vazhdoi të përhapej me shpejtësi, derisa shkaktoi shpërthimin e municioneve luftarake me detonator dhe pa detonator, të cilët ishin të vendosur në skajin juglindor të fabrikës. Nxehtësia e madhe që u krijua dhe efektet e përhapjes së shpejtë të flakës së barutit, sollën shpërthimet e pakontrolluara të predhave, djegoreve dhe shtimjeve unitare të kalibrit 100 mm. Predhat që shpërthenin në ajër në mënyrë të pakontrolluar dhe nxehtësia tepër e madhe që u krijua në gjithë mjedisin, çoi në ndezjen e barutit që ndodhej i mbyllur nëpër kontenierë. Shpërthimi i kontienerëve të mbushur me barut, solli një valë goditëse me efekte shkatërruese për një sipërfaqe tepër të gjerë.

  1. Nga këto shpërthime është shkaktuar vdekja e 26 personave, dhe plagosja e rëndë e 27 personave të tjerë.
  2. Për shkak të veprimit të flakëve dhe eksplozionit të këtyre municioneve mbi trup, mbeti i vrarë edhe djali i kërkuesve, i mituri Erison Durdaj.
  3. Menjëherë pas shpërthimit, Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim, me numër 3/2008. Më 13.03.2009 Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Fatmir Mediu, Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Çoçka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuçi, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Sokol Ngjeçi, Dritan Minxolli, Juliana Margariti, Dashnor Çaushi, Hilmi Laçaj e “Albademil”sh.p.k me akuzat përkatëse.
  4. Më 22.05.2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e ndërmjetëm në lidhje me kërkesat paraprake, ka vendosur: (1) Shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Lartë për gjykimin e akuzave penale në ngarkim të të pandehurve Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Çoçka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuçi, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Sokol Ngjeçi, Dritan Minxolli, Juliana Margariti, Dashnor Çaushi, Hilmi Laçaj e “Albademil”sh.p.k dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tyre për kompetencë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë; (2) Veçimin e padisë civile nga procesi penal të paditësve Nazime Hazizaj etj., të legjitimuar nga organi i prokurorisë në fazën e hetimeve paraprake dhe mospranimin për shqyrtim të kërkesë padive të avokatit të shtetit dhe padive të tjera civile, duke i dërguar ato për shqyrtim nga një trup gjykues civil i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
  5. Më 14.09.2009, me vendimin nr. 6, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë gjykimin ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se rizgjedhja e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë e kishte veshur këtë person sërish me imunitet parlamentar dhe se për këtë arsye ekzistonte një shkak pengues për të vazhduar gjykimin e çështjes ndaj këtij të pandehuri.
  6. Në datën 12.03.2012 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 381, deklaroi se vdekja e të ndjerëve ishte shkaktuar nga shkelja e rregullave të sigurisë në punë dhe të operimit me lëndët plasëse, duke shpallur fajtor katër persona, ndërmjet të cilëve, Drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO së bashku me një punonjës tjetër të kësaj ndërmarrjeje, administratorin e shoqërisë Albademil sh.p.k. dhe një punonjës tjetër në cilësinë e drejtorit të fabrikës së demontimit, si dhe katër persona nga Forcat e Armatosura për shpërdorim detyre për hartimin e Urdhërit nr. 2044/2007 të Ministrit të Mbrojtjes. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u ankimua nga të pandehurit në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 138 dt. 13.02.2013, vendosi ta lërë në fuqi vendimin e mësipërm në lidhje me faktet dhe përgjegjësitë e konstatuara.
  7. Më herët, në vitin 2011, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme të niste edhe një herë procedimin. Pas mosreagimit, i njëjti subjekt kërkues iu drejtua gjykatës.
  8. Më 13.06.2011, Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 9, vendosi të rrëzojë kërkesën, me arsyetimin se: (1) kërkuesi ishte një shoqatë dhe nuk legjitimohej për këtë kërkesë; (2) ligji nuk ia njihte të drejtën viktimave të ankoheshin ndaj veprimeve të prokurorit për veprat penale që ndiqeshin kryesisht, dhe; (3) vetëm palët në proces mund të bëjnë ankim ndaj vendimeve të prokurorit.
  9. Në vendimin e sipërpërmendur, Gjykata e Lartë thekson se: “…autorizimi për procedim mund të kërkohet vetëm nga prokurori, i cili sipas nenit 292 të K.Pr.Penale nuk ka asnjë pengesë ligjore për ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe të njëjtin person nëse i jepet autorizimi nga organi kompetent, ose në momentin që zhduket kushti personal që e bën të domosdoshëm autorizimin (bie imuniteti për shkak të mos qenit më deputet), mund të rifillojë përsëri ndjekjen penale.”
  10. Më 18.09.2021, Kuvendi miratoi një amendament të Kushtetutës (ligji 88/2012), i cili ndër të tjera hoqi kushtin pengues për procedimin penal ndaj deputetëve. Në këto kushte Prokuroria e Përgjithshme mund të kërkonte riçeljen e gjykimit për ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
  11. Më 04.02.2014 Prokuroria e Përgjithshme, kërkesës së familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit për të ridërguar në Gjykatën e Lartë çështjen penale në ngarkim të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, iu përgjigj me shkresën nr. 1636/2 prot, duke u shprehur se nuk kishte asnjë vendim për mosfillim apo pushim të çështjes nga ana e prokurorit dhe se ky organ e kishte dërguar një herë çështjen në gjykatë, por kjo e fundit kishte ngritur pengesën e imunitetit dhe kishte pushuar gjykimin. Në këtë mënyrë familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit nuk kishin asnjë mundësi juridike për të kërkuar rinisjen e procesit penal ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes dhe se kjo ishte e mundur vetëm nëse Prokurori i Përgjithshëm do të vepronte ex officio, veprim i cili nuk u krye asnjëherë prej tij.
  12. Më herët, Gjykata e Lartë, më 19.07.2013, vendosi të mos pranojë rekurset e paraqitura nga prokuroria dhe nga 29 të pandehurit e tjerë, duke bërë që vendimi i formës së prerë në çështjen penale të mos ndryshohet.
  13. Më 29.01.2014 dy familjarë të viktimave, Z. Feruzan Durdaj dhe Zj. Zamira Durdaj iu drejtuan Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke parashtruar ndërmjet të tjerave, edhe faktin që roli dhe përgjegjësia e ish Ministrit të Mbrojtjes nuk ishin gjykuar pavarësisht se hetimi ishte i plotë dhe rezultonte se kishte dyshime të arsyeshme për fajësinë e tij.

Më 06.01.2015 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i komunikoi qeverisë Shqiptare kërkesën e aplikantëve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, duke shtruar një sërë pyetjesh, ku kërkohej informacion për rolin dhe përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore në këtë ngjarje kriminale, si dhe në mënyrë specifike nëse ishin marrë masat e duhura që ngjarja të evitohej, nëse ishin bërë inspektimet e duhura, si dhe cili ishte roli dhe përgjegjësia e Ministrit të Mbrojtjes në ngjarje. GJEDNJ caktoi një afat për përgjigjen e qeverisë shqiptare deri më 4 Maj 2015. Deri më sot, qendrimi i qeverisë shqiptare nuk është i qartë për kërkesat e GJEDNJ.

  1. Analiza juridike

Lidhur me kërkesën e SPAK dhe heqja e pengesave për të gjykuar ish Ministrin e Mbrojtjes

Bazuar në nenin 58, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, viktima e një krimi ka të drejtë të kërkojë procedimin e fajtorit. Një nga personat e pandehur që nuk është gjykuar asnjëherë për ngjarjen e Gërdecit, është shtetasi Fatmir Mediu, me detyrë ish Ministër i Mbrojtjes në kohën e ngjarjes.

Dispozita në fjalë i jep të drejtën viktimës dhe trashëgimtarëve të tij, që të kërkojnë nga organet përkatëse, që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura për të dërguar përpara drejtësisë personat ndaj të cilëve ka prova të mjaftueshme për të kërkuar dënimin e tyre. Konkluzioni që shtetasi Fatmir Mediu duhet dërguar në gjykatë është i vetë Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse pas pushimit të kërkesës në vitin 2009 nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të rifilluar cështjen, pas rënies së shkaqeve penguese.

Siç shprehet edhe Gjykata e Lartë në vendimin nr. 9 datë 13.06.2011, prokurori nuk ka asnjë pengesë ligjore për ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe të njëjtin person nëse i jepet aurozimi nga organi kompetent, ose në momentin që zhduket kushti personal që e bën të domosdoshëm autorizimin (bie imuniteti për shkak të mos qenit më deputet). Në rastin konkret, ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 e kanë zhdukur kushtin për të kërkuar autorizimin.

Gjithashtu, në këtë kërkesë nuk janë të pranishme pengesat e tjera që konstatoi Gjykata e Lartë e cila rrëzoi kërkesën, sepse: Së pari, nuk jemi para rastit që kërkues është një shoqatë, por janë trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Erison Durdaj.

Së dyti, nuk jemi para rastit që ligji nuk i njeh të drejtë viktimave, pasi me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017 (me ligjin nr. 35/2017), viktimat kanë të drejta të zgjeruara, të njohura për herë të parë nga legjislacioni procedural penal. Madje tashmë viktima njihet si palë në procesin penal dhe dëgjohet nga gjykata. Ky arsyetim bazohet edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në çështjen Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë, u shpreh se ky set të drejtash i njihet viktimës dhe të afërmve të tij, që ata të bëhen pjesë aktive e procesit penal.

Deri më sot nuk ka gjetur zgjidhje cështja më sipër, por me ndryshimin e legjislacionit përkatës, besojmë se jemi në kushtet e duhura që kjo kërkesë të marrë përgjigje pozitive dhe çështja në fjalë të dërgohet në gjykatë.

Një rrethanë që e vë në diskutim bazueshmërinë e vendimit të pushimit dhe e bën të revokueshëm është edhe ndryshimi i ligjit që nuk kërkon më asnjë autorizim për të vijuar me ndjekjen penale që ka nisur. Amendamenti kushtetues i vitit 2012 e ka hequr kërkesën për autorizim për procedimin e deputetëve.

Heqja e pengesës për të proceduar më tej me ndjekjen penale, është një rrethanë e re, e cila nuk ka ekzistuar në momentin e marrjes së vendimit nr. 6 datë 14.09.2009 nga Gjykata e Lartë (vendimi objekt i kërkesës).

Mungesa e autorizimit në kohën e nxjerrjes së vendimit nr. 6 datë 14.09.2009 nga Gjykata e Lartë, ka qenë një kusht pengues i përkohshëm, i cili vetë sipas ligjeve të kohës, nëse autorizimi jepej, ose kushti personal zhdukej, ndjekja penale vijonte. Kërkesa për revokimin e vendimit nuk sjell asnjë situatë të re, të papritur, që buron nga një ligj i mëvonshëm, për subjektin e atij vendimi, dhe për rrjedhojë nuk cenon parimin e sigurisë juridike.

Ndryshimet ligjore në KPP me anë të ligjit nr. 35/2017, kanë hequr edhe kërkesën e autorizimit për ndjekjen penale nga gërma “c” e nenit 290. Kjo për arsye sepse këto ndryshime kanë reflektuar situatën e re juridike për shkak të amendamentit kushtetues të vitit 2012. Në këtë kuptim, ligjvënësi ka hequr si rudiment të panevojshëm edhe parashikim për rifillimin e ndjekjes penale kur autorizimi jepet (i cili nuk jepet më që prej vitit 2012), duke e konsideruar si një instrument obsolet.

Por, të njëjtat ndryshime bëjnë që vendimi nr. 6, datë 14.09.2009 i Gjykatës së Lartë të jetë i pabazuar. Rikujtojmë se pengesa në këtë rast ishte e përkohshme dhe më pas inekzistente. Ndjekja penale në këtë rast nuk ka asnjë pengesë ligjore të vazhdojë dhe e vetmja pengesë është vendimi objekt i kërkesës, i cili pengon organin e akuzës të vijojë më tej me ndjekjen penale.

Baza ligjore procedurale nuk është vetëm KPP, por në rastin konkret edhe neni 2 i KEDNJ

Së pari, vlen të theksohet se baza ligjore në kuptimin të procedurës nuk përmblidhet vetëm në Kodin e Procedurës Penale. Ky Kod ka pësuar ndryshime me ligjin 35/2017, por në interpretimin sistematik të dispozitave, ato shihen së bashku me parimet kushtetuese dhe ato që burojnë nga KEDNJ.

Nga ngjarja e Gërdecit mbetën të vrarë 26 persona. Dukshëm në këtë rast ngrihet një çështje e shkeljes së nenit 2 të KEDNJ, i cili mbron të drejtën e jetës, i cili parashikon:

Neni 22

E drejta për jetën

  1. E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i privohet jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjykate pas dënimit për një krim për të cilin dënimi është parashikuar me ligj.
  2. Privimi nga jeta nuk konsiderohet të shkaktohet në kundërshtim me këtë nen në rastet kur ky privim vjen nga përdorimi i forcës, që është jo më shumë se absolutisht i domosdoshëm:
  3. a) në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme;
  4. b) për të kryer një arrestim të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të ndaluar ligjërisht;
  5. c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje.

KEDNJ është e zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Republikës së Shqipërisë, siç sanksionohet nga neni 122 i Kushtetutës. Edhe GJEDNJ e thekson zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të KEDNJ në regjimin juridik të brendshëm. Në çështjen Bakiu dhe të Tjerët kundër Shqipërisë, GJEDNJ shprehet:

“80…Veçanërisht në funksion të faktit se Konventa është drejtpërdrejt e zbatueshme në Shqipëri, në përputhje me nenin 122 të Kushtetutës, një ankesë para gjykatave kombëtare do t’u kishte dhënë atyre mundësinë për të vlerësuar proporcionalitetin e zbatimit të Aktit Normativ 2012 në secila nga çështjet e ankuesve….”

GJEDNJ ka bërë një analizë të vazhdueshme të nenit 2 të Konventës, duke e zbërthyer kuptimin e tij në rrethana të ndryshme.

Në përgjithësi, ashtu si nenet e tjerë që sanksionojnë mbrojtjen e të drejtave të ndryshme, neni 2 mbron dy aspekte kryesore (shih Udhëzimin e GJEDNJ për nenin 2 të Konventës[1]):

Aspekti thelbësor (shteti duhet të sigurojë që çdo humbje e jetës ose kërcënim ndaj saj nga punonjësit e shtetit, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, duhet të rregullohet në përputhje me kushtet e vendosura nga neni 2. Kjo përfshin ndër të tjera nxjerrjen e legjislacionit përkatës që përcakton saktë rrethanat në të cilat lejohen veprime të tilla.)

Aspekti procedural (shtetet anëtare duhet të nisin një hetim të thellë dhe efektiv për çdo humbje të jetës, apo kërcënim ndaj saj, në mënyrë që të qartësohen rrethanat dhe përgjegjësit të dërgohen përpara drejtësisë.)

Neni 2 përmban dy detyrime thelbësore: detyrimin e përgjithshëm për të mbrojtur me ligj të drejtën ndaj jetës, dhe ndalimin e privimit të qëllimshëm të jetës, të përcaktuar nga një listë e përjashtimeve (Boso k. Italisë). Duke pasur parasysh karakterin e tij themelor, neni 2 i Konventës gjithashtu përmban një detyrim procedural për të kryer një hetim efektiv mbi shkeljet e pretenduara të aspektit thelbësor (Armani Da Silva kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], 9 229).

Organet e drejtësisë janë ato që duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme dhe të drejtë për kërkesën e paraqitur nga SPAK, i vënë në lëvizje nga kërkuesit. Ato duhet të zbatojnë ligjet në fuqi dhe një nga nenet ku bazohet kërkesa është neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (aspekti procedural). Në bazë të këtij neni, shteti (përmes gjykatave në rastin konkret) duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurojë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm për zbuluar të vërtetën dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat e akuzuar, duke i dënuar me dënime të përshtatshme.

Në çështjen Bekirski kundër Bullgarisë (apl. nr. 71420/01, vendim i dt. 02.09.2010, paragrafi 119), Gjykata përsëriti rëndësinë e nenit 2 të Konventës i cili:

“…mbron të drejtën për jetën, si një nga parashikimet më themelore në Konventë. Së bashku me nenin 3, ai mbron me forcë një nga vlerat bazë të shoqërive demokratike që përbëjnë Këshillin e Evropës.  Objekti dhe qëllimi i Konventës si mjet për mbrojtjen e individëve kërkon gjithashtu që neni 2 të interpretohet dhe zbatohet në mënyrë që mbrojtja e tij të bëhet praktike dhe efektive. Në dritën e rëndësisë së mbrojtjes që përmban neni 2, Gjykata duhet të studiojë kërkesën mbi humbjen e jetës nën një hetim shumë të kujdesshëm, duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat përkatëse.”

Në çështjen Leonidis kundër Greqisë (apl. nr. 43326/05, vendim i dt. 08.01.2009, paragrafi 68) Gjykata shprehet:

“Hetimi duhet të jetë në gjendje që së pari të sqarojë rrethanat në të cilat ndodhi aksidenti dhe së dyti duhet të udhëheqë në identifikimin dhe dënimin e përgjegjësve. Ky nuk është një detyrim në lidhje me rezultatin, por një detyrim në lidhje me qëllimin dhe mjetet e përdorura.

Autoritetet duhet të kenë ndërmarrë të gjithë hapat e arsyeshëm që mund të kenë në dispozicion për të siguruar provat që kanë të bëjnë me aksidentin, duke përfshirë ndër të tjera, dëshmitarë okularë dhe ekspertiza ligjore. Konteksti nënkupton nevojën për një hetim të menjëhershëm dhe të arsyeshëm. Çdo mangësi në hetim që dobëson aftësinë për të sqaruar rrethanat e çështjes ose të hedhë dritë mbi personat përgjegjës, shteti mban përgjegjësi për ardhjen në kundërshtim me standardin e kërkuar të efektivitetit (shih Kelly dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 30054/96, paragrafët 96-97, 04.05.2001).”

GJEDNJ ka mbajtur në mënyrë të përsëritur qëndrimin se për hetimin e veprimeve të palëve të treta në rastet e neneve 2 dhe 3 të Konventës, vetëm hetimi penal mund të arrijë të përmbushë standardet përkatëse duke hedhur dritë mbi të vërtetën. Në rastin e Šilih kundër Sllovenisë (apl. nr. 71463/01, vendim i dt. 09.04.2009, paragrafi 194), Gjykata vuri re se:

“Edhe nëse Konventa nuk e garanton si të tillë të drejtën për të filluar procedimin penal kundër palëve të treta, Gjykata ka thënë shumë herë se sistemi gjyqësor efektiv i kërkuar nga neni 2 mundet, dhe në rrethana të caktuara duhet të përfshijë adresimin ndaj ligjit penal”.

Prandaj në rastet e vdekjes, GJEDNJ ka përsëritur se përveç padisë civile për dëmshpërblim, ka theksuar edhe rëndësinë e një hetimi penal efektiv (shih psh. Ölmez dhe të Tjerë kundër Turqisë,  apl. nr. 22746/03, gjykimi i dt. 09.11.2010, paragrafi 54).

Gjykata ka qenë shumë saktësuese në kërkesën e saj mbi kriteret që duhet të përmbushë një hetim me qëllim që të konsiderohet efektiv. Ka thënë p.sh. se ky detyrim rëndon mbi autoritetet shtetërore, pavarësisht nëse familja e viktimës ka kontaktuar apo njoftuar autoritetet – përkundrazi, janë vetë autoritetet që duhet të fillojnë një hetim të përshtatshëm, me nismën e tyre, sapo të kenë marrë informacion për humbjen e jetës ose plagosjen e një personi në rrethana të dyshimta (shih Paul dhe Audrey Edëards kundër Mbretërisë së Bashkuar, apl. nr. 46477/99, vendim i dt. 14.03.2002, paragrafi 69).

Kjo duhet të përfshijë mbledhjen e provave, rindërtimin e ngjarjes, fiksimin e dëshmive nga të gjithë dëshmitarët, e kështu me radhë (shih në Babat dhe të tjerët kundër Turqisë, apl. nr. 44936/04, vendim i dt. 12.01.2010). Gjithashtu ka thënë se ky hetim duhet filluar në mënyrë eksploruese, me qëllim që të lehtësojë kërkuesin dhe me qëllim që të ruajë “…besimin e publikut mbi besnikërinë e tyre ndaj shtetit të së drejtës, dhe në parandalimin e çdo shfaqjeje të marrëveshjeve të fshehta apo tolerance ndaj veprimeve të paligjshme” (Ali dhe Ayşe Duran kundër Turqisë, apl. nr. 42942/02, vendim i dt. 08.08.2008, paragrafi 63).

GJEDNJ ka interpretuar vazhdimisht nenin 2 si të zbatueshëm edhe në rastet kur vdekja nuk është shkaktuar nga zyrtarë publikë por nga aktorë të tjerë jo shtetërorë, siç janë individët privatë. Prandaj sipas Gjykatës në çështjen Oyal kundër Turqisë, apl. nr. 4864/05, vendim i dt. 23.03.2010, paragrafi 53, Gjykata përsërit se:

“Neni 2 jo vetëm lidhet me vdekjen që vjen nga përdorimi i pajustifikuar i forcës nga agjentë të shtetit, por gjithashtu në fjalinë e parë të paragrafit të parë, përcakton një detyrim pozitiv mbi shtetet që të ndërmarrin hapat e duhur për mbrojtjen e jetëve të atyre që janë nën juridiksionin e tyre.”

Ky detyrim pozitiv që rëndon mbi shtetet mund të marrë shumë forma, si p.sh. duke miratuar kuadrin ligjor përshtatshëm që të lejojë hetimet efektive dhe ndjekjen penale të vrasjeve ose plagosjeve, ose duke marrë masa të veçanta mbrojtëse me qëllim që të mbrojë jetën përballë kërcënimeve (shih p.sh. çështjen e vrasjes se gazetarit turk Hrant Dink, Dink kundër Turqisë, apl. nr.  668/07, 6102/08, 30079/08, 7072/09 dhe 7124/09,  vendim i dt. 14.09.2010).

Në çështjet Öneryıldız kundër Turqisë, dhe Budayeva dhe të Tjerët kundër Rusisë, Gjykata analizoi gjithashtu çështjen e hetimit që duhet filluar kur ndodhin vdekje si rezultat i fatkeqësive natyrore ose rreziqeve të shkaktuara nga njeriu. Në të dyja çështjet Gjykata tha se vetëm një hetim penal në thellësi dhe efektiv për humbjen e jetës, një hetim i karakterizuar nga të njëjtët elementë si ato për humbjes së jetës nga zyrtarët e shtetit, është i mjaftueshëm për përmbushjen e aspektit procedural të nenit 2.

Preferenca e Gjykatës për hetimin penal është bazuar në një sërë faktorësh, si probabiliteti i përgjegjësisë penale, fakti që nisur nga natyra komplekse e administratave moderne dhe që përgjegjësia për veprimtari të rrezikshme mund të zgjerohet në agjenci të ndryshme shtetërore, vetëm një hetim penal ka potencialin të sigurojë përgjegjësinë e zyrtarëve të shtetit, siç deklaron Gjykata. (Öneryıldız kundër Turqisë, op, cit, paragrafi 94).

Lidhur me këtë gjë, duhet vënë re se interpretimi i nenit 2 si nen që nënkupton një detyrim për të kryer një hetim zyrtar justifikohet, jo vetëm sepse çdo akuzë për një shkelje të tillë normalisht ngre çështje të përgjegjësisë penale, (shih Caraher kundër Mbretërisë së Bashkuar (dec.), nr. 24520/94, ECHR 2000-I), por edhe sepse shpesh në praktikë, rrethanat e vërteta të vdekjes janë ose mund të jenë në masë të madhe gjerësisht të limituara në kufijtë e dijes së zyrtarëve ose autoriteteve të Shtetit (shih Mçann dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, gjykimi i dt.  27.09.1995, Seria A nr. 324, fq. 47 49, paragrafët 157-164, dhe İlhan, i cituar më sipër, paragrafi 91).

Kur neglizhenca që i atribuohet zyrtarëve të shtetit mbi çështjen, shkon përtej një gabimi vlerësimi ose pakujdesisë, autoriteti në fjalë konsiderohet se dështon në marrjen e masave që ishin të nevojshme dhe të mjaftueshme për shmangien e rreziqeve ekzistuese në një veprimtari të rrezikshme (shih, mutatis mutandis,Osman, cituar më sipër, fq. 3159-60, paragrafi 116). Fakti se përgjegjësit për rrezikimin e jetës nuk janë akuzuar për një vepër penale ose nuk janë ndjekur penalisht mund të çojë në një shkelje të nenit 2, pavarësisht masave të tjera që individët mund të marrin me nismën e tyre (shih paragrafët 48, 49 dhe 50 më sipër).

Për t’i përmbledhur ato që shprehëm më sipër, neni 2 kërkon që të kryhet një procedurë hetimore e paanshme që përmbush disa standarde për qëllime efektiviteti dhe të jetë në gjendje të sigurojë që sanksionet penale të zbatohen kur humbin jetë njerëzish si rezultat i veprimtarisë së rrezikshme. Në këto raste autoritetet kompetente duhet të veprojnë me kujdes shembullor dhe menjëherë duhet që me nismën e tyre të fillojnë hetimet që munden, së pari, duke u siguruar për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja dhe çdo mangësi në veprime të sistemit rregullator, dhe së dyti, duke identifikuar autoritetet ose zyrtarët e shtetit që janë përfshirë në çdo lloj shkalle në zinxhirin e ngjarjeve në fjalë.

GJEDNJ i jep vëmendje të veçantë çështjes së lidhjes mes shkakut dhe pasojës, mes akteve administrative ose mosveprimeve nga njëra anë dhe humbjes së jetës nga ana tjetër. Prandaj në rastet ku nuk ka humbje “të drejtpërdrejtë” të jetës, Gjykata ka konsideruar se organet e hetimit duhet të analizojnë plotësisht zinxhirin e plotë të ngjarjeve dhe të zbardhin përgjegjësinë penale të çdo zyrtari kompetent të shtetit, se sa thjesht të fokusohet vetëm në shkaqet imediate të vdekjes (shih gjithashtu Budayeva dhe të Tjerët kundër Rusisë, paragrafi 142, dhe Dodov kundër Bullgarisë, apl. nr. 59548/00, vendim i dt. 18.01.2008, paragrafi 70).

Dy faktorë shtesë që sipas GJEDNJ janë në favor të hetimit penal janë që të ruhet gjithashtu besimi i publikut dhe të sigurohet besnikëria ndaj shtetit ligjor, si dhe parandalimi i çdo shfaqjeje tolerance apo marrëveshjeje të fshehtë të akteve të paligjshme (Öneryıldız kundër Turqisë, paragrafët 94 dhe 96).

Shembulli më tipik para GJEDNJ është Budayeva dhe të Tjerët kundër Rusisë, ku viktimat kishin humbur jetën për shkak të shembjes së shtëpive nga rrëshqitja e baltës në një kodër. Organi rus i hetimit arriti në konkluzionin se shkaku i vdekjes ishte rrëshqitja e baltës dhe se nuk kishte kush të mbante përgjegjësi për këtë tragjedi, pasi ishte akt i natyrës.

Mirëpo GJEDNJ konstatoi shkelje në këtë lloj logjike. Shtëpitë ishin ndërtuar me lejen e shtetit dhe se ishin zyrtarët lokalë që duhej të siguroheshin që terreni ishte i përshtatshëm. GJEDNJ u tregua kritike për vendimin e prokurorit, duke vënë re se ai dështoi në analizimin e faktit nëse zyrtarët e shtetit mund të ishin përgjegjës ose jo që nuk kishin marrë masat e duhura për parandalimin e rrëshqitjeve të baltës që çoi në rënien e ndërtesës ku jetonin viktimat.

Vlen të rikujtojmë se, duke pasur parasysh mangësitë e ndjekjes penale, pushimi i saj për arsye thjesht procedurale, sipas GJEDNJ është i pabazuar. Nëse nuk ka pasur një ndjekje penale efektive, kjo konsiderohet shkelje e aspektit procedural të Nenit 2. GEDNJ ka shprehur shqetësime në lidhje me diskrecionin e prokurorit për të pushuar procedimin dhe vetë GJEDNJ mund të kërkojë rihapjen e procedimit, siç ka bërë në çështjen Atakaya kundër Turqisë (Aplikimi nr. 50275/08, vendim dt. 22 Korrik 2014)

Në çështjen Pulfer kundër Shqipërisë, GJEDNJ vlerëson se amnistitë nuk duhet të miratohen në shkelje të Neneve 2 dhe 3 të Konventës, jo vetëm kur kryhen nga zyrtarë publikë por edhe nga persona privatë (paragrafët 83, 90). Në interpretim të frymës së jurisprudencës së GJEDNJ, mund të konkludohet se mosfillimi i hetimit, apo pushimi i ndjekjes penale mund të përbëjë një formë të amnistisë.

Për më tepër, në fazën e ekzekutimit të gjykimit, në çështjen Pulfer, prokurori ofroi dy arsye për të mos rihapur hetimin: e para, vetë amnistia dhe së dyti, fakti që vepra ishte ndaluar me kohë (në faqen 4). Asnjë nga këto kushte nuk verfikohet në çështjen objekt gjykimi, kështu që në parim prokurori mund ta rihapë çështjen, sidommos kur kërkuesit Feruzan dhe Zamira Durdaj e kanë paraqitur këtë ankim në GJEDNJ, e cila mund të kërkojë vetë fillimin e ndjekjes penale, siç ajo veproi në çështjen turke të sipërpërmendur (shih paragrafët 74-75).

Në lidhje me ndjekjen penale objekti i këtij gjykimi, Prokuroria në parim ka pranuar që ajo mund të rihapet nëse nuk mbulohet nga një amnisti ose vepra nuk është parashkruar. Ky nuk është rasti këtu, kështu që prokurori duhet të ketë të drejtën dhe mundësinë efektive të rihapë çështjen. Nëse prokurori nuk mund ta bëjë këtë dhe nuk ka asnjë bazë ligjore, atëherë në bazë të Nenit 2, siç interpretohet nga GJEDNJ, gjykata duhet ta detyrojë/lejojë prokurorin ta kryejë këtë veprim.

Bazuar në jurisprudencën e mësipërme, është plotësisht e kuptueshme se neni 2 i KEDNJ, dhe veçanërisht aspekti procedural i tij, ka përparësi në legjislacionin vendas dhe mund të shërbejë si bazë ligjore e mjaftueshme për të rifilluar ndjekjen penale edhe në rastin kur neni 292 ka ndryshuar përmbajtjen e tij (sidomos kur sipas një interpretimi historik, kjo është bërë thjesht për arsye të “pastrimit” të tij nga procedurat obsolete).

Lidhur me cilësimin juridik të fakteve penale

Kërkuesit janë të mendimit që figura e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk përfaqëson kualifikimin e duhur të faktit penal, pasi nga tërësia e provave mund të arrihet në konkluzionin se ky shtetas ka anashkaluar rregullat e operimit me lëndët plasëse, por jo vetëm. Akuzat e ngritura ndaj personave të tjerë zyrtarë në këtë cështje, si drejtuesit e ndërmarrjes MEICO, apo shoqërisë Albademil sh.p.k., janë të përshtatshme edhe për veprimet dhe mosveprimet e paligjshme të ish Ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe.

Mjafton të sjellim në vëmendje që ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është autoriteti që ka nxjerrë Urdhërin nr. 2044/2007, me anë të të cilit:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vendimin nr. 381 datë 12.03.2012, lënë në fuqi me vendimin nr. 138 datë 13.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është shprehur se Urdhri nr. 2044 datë 07.12.2007 i Ministrit të Mbrojtjes është në kundërshtim të hapur me VKM nr. 138/2007. Gjykata shprehet:

“Urdhri nr. 2044, datë 07.12.2007, i nxjerrë nga Ministri i Mbrojtjes shtetasi Fatmir Mediu, u përpilua nga te pandehurit Dashnor Çaushi, Luan Hoxha, Hilmi Lacaj dhe Ndue Marku. Ky urdhër u nxor në kundërshtim të hapur me VKM nr. 138, datë 14.03.2007, i cili përcaktonte për qëllim demontimi vetëm municionet e kalibrit të vogël.

Gjykata krijoi bindjen e plote se te pandehurit nuk përfshijnë në projekt urdhrin nr.2044, datë 07.12.2007, asnjë rregull apo normë, që të garantonin zhvillimin e një procesi të sigurt.”

Gjykata  çmon se ambientet ku do të depozitoheshin sasitë e muncionit luftarak, në asnjë rast dhe rrethanë, nuk mund t’i shmangeshin liçensimit.

Të pandehurit, hartues të Urdhrit nr.2044, datë 07.12.2007, të MM, e kanë ditur fare mirë që në ambientet e ish-repartit të Gërdecit, do të depozitoheshin sasi të mëdha municionesh të kalibrave jo të vegjël. Ata, duke vënë si bazë ligjore për nxjerrjen e këtij Urdhri VKM-në nr. 138, datë 14.03.2007, i kanë pasur fare të qarta detyrimet që përcaktonte ky vendim në lidhje me faktin se procesi i çmilitarizimit e çmontimit duhej të kryhej nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura. Ambientet ku do të depozitoheshin sasitë e municionit luftarak, në asnjë rast dhe rrethanë, nuk mund t’i shmangeshin liçensimit.

Shmangia e strukturave ushtarake nga mbikëqyrja e sigurisë, ka sjellë pasoja të rënda për shtetin dhe për interesat e ligjshme të shtetasve….”

Për të kuptuar qartë qëndrimin e Gjykatës në këtë rast, se pse analiza e mësipërme është bërë për të pandehurit që kanë hartuar Urdhërin nr. 2044/2007 të Ministrit të Mbrojtjes dhe jo vetë Ministrin, duhet të kujtojmë që ky i fundit nuk ishte i pandehur në këtë moment në këtë proces para kësaj gjykate, pasi Gjykata e Lartë kishte pushuar çështjen penale në ngarkim të tij për shkak të imunitetit parlamentar, siç u parashtruar më sipër. Në këto rrethana gjykata është kufizuar tek përgjegjësia e hartuesve të urdhrit nr. 2044/2007, por logjika që vlen për t’u marrë parasysh në këtë rrethanë është se ky urdhër ka lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore me pasojën e rëndë të ardhur në fshatin Gërdec në datën 15.03.2008.

Cilësimi juridik i fakteve nuk është detyrë e gjykatës në momentin e vlerësimit të revokimit të vendimit të pushimit të ndjekjes penale dhe rifillimit të kësaj ndjekjeje, pasi ky vlerësim bëhet gjatë gjykimit në themel. Por, vlen të sjellim në vëmendje këtë aspekt sepse ka lidhje me interpretime të mundshme të afateve të parashkrimit të ndonjë figure të mundshme të veprës penale, por jo për cilësime të tjera të mundshme, të cilat gjithsesi janë edhe ato të vlerësueshme në gjykimin e themelit.

Mundësia për kontrollin incidental të kushtetutshmërisë së nenit 292 të KPP

Nëse GJKKO, pavarësisht nga argumentimi në lidhje me zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të nenit 2 të KEDNJ më sipër, ka paqartësi për zbatimin e nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale, i cili me pamjen e sotme “të cunguar” mund të krijojë vakuum për rifillimin e ndjekjeve penale të pushuara për shkak të mosdhënies së autorizimit për procedim, duke rënë ndesh me detyrimet pozitive që burojnë nga neni 2 i KEDNJ, gjykata duhet të mos e zbatojë atë, duke vendosur pezullimin e shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes dhe dërgimin e kërkesës për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese, për t’u shprehur për kushtetutshmërinë e nenit 292 të KPP. Në rastin eventual të shfuqizimit të kësaj dispozite, si të papajtueshme me nenin 2 të KEDNJ, gjykata nuk do të kishte asnjë pengesë teorike apo praktike për të pranuar të plotë kërkesën e SPAK.

Kërkesa bazohet në nenin 68 të ligjit nr. 8577 datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili shprehet:

  1. Kur gjykata ose gjyqtari gjatë një procesi gjyqësor dhe në çdo kohë, kryesisht ose me kërkesë të palëve, çmon se ligji është antikushtetues dhe kur ka lidhje të drejtpërdrejtë midis ligjit dhe zgjidhjes së çështjes konkrete, nuk e zbaton atë, duke vendosur pezullimin e shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes dhe dërgimin e materialeve të saj Gjykatës Kushtetuese, për t’u shprehur për kushtetutshmërinë e ligjit.

Konkluzion

Në përfundim, kërkojmë nga GJKKO, që pasi të marrë në analizë faktet dhe argumentimin juridik të mësipërm, të orientojë zgjidhjen e kërkesës në një mënyrë të drejtë duke revokuar vendimin nr. 6, datë 14.09.2009 të Gjykatës së Lartë (e cila ka vepruar në cilësinë e organit procedues) për pushimit e ndjekjes penale dhe duke urdhëruar rifillimin e ndjekjes penale, duke vijuar me veprimet e mëtejshme të dërgimit të çështjes në gjyq ndaj shtetasit Fatmir Mediu, sipas procedimit nr. 3/2008.

Në mënyrë alternative, GJKKO mund të orientojë vendimmarrjen e saj drejt dërgimit të cështjes në Gjykatën Kushtetuese për kontrollin incidental të pajtueshmërisë së nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale, me aspektin procedural të të drejtës së jetës, të mbrojtur nga neni 2 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.