Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë kanë kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.202 të vitit 2022, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 259/2, 245/1/4 dhe 248 i Kodit Penal .
Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit.
Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi nën hetim E. P., me detyrë Shef Seksioni për Shërbimet Ekonomike dhe Personelin, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe shtetasi nën hetim A. L., me detyrë Trupë Shërbimi Nd/Specialist pranë Seksionit të Parandalimit dhe Sigurisë në Linjat jashtë qytetit, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, paragrafi 4, pasi në një periudhë kohore disa mujore, kanë premtuar dhe siguruar qytetarë të ndryshëm, drejtpërdrejt apo mes personave të tjerë, që kundrejt përfitimeve monetare të parregullta, do tju kthenin para afatit të pezullimit lejet e drejtimit të pezulluara sipas sanksioneve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, që administroheshin në Zyrën e Kartotekës së OASH.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.12 datë 16.02.2023 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për shtetasit:
1.E. P., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
2.A. L., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
Në datën 16.02.2023, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë ka ekzekutuar masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.12 datë 16.02.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë