Këshilli i Mandatave mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Pak para orarit zyrtar të mbledhjes prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, e po ashtu  edhe dy avokatët mbrojtës të ish-ministrit Ahmetaj i cili mungon, Ardian Visha dhe Henrik Ligori.

Pritet që avokatët mbrojtës të Ahmetajt të kërkojnë shtyerjen e mbledhjes ditën e sotme për shkak të dosjes voluminoze, duke kërkuar kohë për mbrojtjen.

Për shkak të sekretit hetimor në hetime,  mbledhja e Këshillit do mbahet me dyer të mbyllura me kërkesë të SPAK. ABC News gjithashtu e ka siguruar dosjen e SPAK ndaj Ahmetaj por nuk mund ta publikojë atë për t’iu bindur urdhrit të Prokurorisë, për sa kohë hetimet përbëjnë sekret hetimor.

SPAK ka nisur hetime për Ahmetajn prej shtatorit të kaluar në lidhje me ndërtimin dhe dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit. Prokuroria e posaçme depozitoi të premten kërkesën në Kuvend për të marrë miratimin për arrestimin e Ahmetaj dhe kontrollin e tij personal si dhe të banesës për 3 akuza, atë të Korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. /abcnews.al