Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal ndaj zyrtarëve të AKSHI-t.

Hetimet janë nisur nga Struktura Anti-korrupsion për një tender që dyshohet se ështe dhënë në mënyrë abuzive nga ky inistitucion për shpenzimin e reklamimit në e-albania.

Mësohet se tenderin për të cilin SPAK po kryen hetime, kap vlerën e rreth 1.7 milion eurove. Tenderi i është dhënë kompanisë SPOT COMUNICATION.

Lidhur me procedurat e tenderit SPAK po kryen verifikime, duke filluar veprime konkrete, ku janë derguar edhe disa fletëthirrje ndaj drejtoresh, e zyrtarëve të AKSH, por edhe të anëtarëve te KVO, qe kanë firmosur procedurën e tenderit. Hetimet po kryen për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje te barazisë në tendera”

Kallëzimi Penal

KALLËZUES:               …………………

DREJTUAR :                 Prokurorisë së Posaçme pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,  me inicialet SPAK.

PËR DIJENI:                 Z. Altin Dumani drejtues i SPAK.

KUNDËR:                      – Mirlinda Karçanaj,  me  funksion  drejtuese e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së  Informacionit (AKSHI);

  • Elona Hoxhaj, me funksion Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtën e Informimit;

                                        – Mirza Alibegaj, me cilësinë e administratores së shoqërisë “Spot Communicatiuons” sh.p.k;

– Çdo  person  i pa identifikuar më sipër që me veprimet apo mosveprimet e veta, rezulton pas hetimit Tuaj që ka përgjegjësi ligjore penale në lidhje me veprimet abuzive lidhur me tenderin e objekt i këtij kallëzimi.

OBJEKTI:                      – Fillimin e ndjekjes penale  për personat e kallëzuar më sipër dhe çdo person i paidentifikuar prej nesh, për  kryerjen e veprave penale   “Shpërdorim i kompetencave”, parashikuar nga neni 164 i Kodit Penal, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga Neni 258 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,  në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.

BAZA LIGJORE:          Kushtetuta  e Republikës  së  Shqipërisë, Ligji Nr.95/2019  “Për organizimin dhe funsionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”,  Nenet 75/a, 274, 280 dhe 283 e vijues të Kodit të Procedures Penale, nenet 25,  245/1, 248,  258 dhe 259, Ligji Nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Ligji Nr.9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, VKM Nr.914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, Ligji Nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”, si dhe Ligji Nr.9367, datë 07.04.2005, për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike.

 _______________________________________________________________________

Të Nderuar  Prokurorë  të Prokurorisë së Posaçme,

I Nderuar  z. Dumani,

Unë ………….., me cilësinë e kallëzuesit, duke respektuar Institucionet e vendit tim dhe organet e reja të drejtësisë dalë nga Reforma në Drejtësi, duke Ju uruar punë të mbarë Ju z. Dumani në krye të kësaj strukture shumë të rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit, vij përpara Jush me këtë kallëzim penal:

  1. Juridiksioni dhe kompetenca:

1. Juridiksioni penal ushtrohet nga gjykatat penale sipas rregullave të caktuara në këtë Kod. Gjykata penale shqyrton gjithçka që është e nevojshme për marrjen e vendimit dhe vendos sipas rregullave të caktuara me ligj. Në këtë kuadër, ne mendojmë se kompetenca për hetimin e këtij kallëzimi, në referim të nenit Neni 75/a, i takon Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2. Kompetenca tokësore përcaktohet, me radhë, nga vendi ku është kryer ose është tentuar të kryhet vepra penale ose vendi ku ka ardhur pasoja.

3. Në qoftë se vendi i treguar në paragrafin 1 nuk dihet, kompetenca i përket, me radhë, gjykatës së vendqëndrimit ose të vendbanimit të të pandehurit.

4. Në qoftë se as kështu nuk mund të përcaktohet kompetenca, kjo i përket gjykatës së vendit ku ndodhet prokuroria që ka regjistruar e para veprën penale.

5. Rregullat e caktuara në paragrafët e mësipërm zbatohen edhe gjatë hetimit paraprak.

  1. Analiza e rrethanave dhe e fakteve:

6. Për reklamimin e portalit e-Albania, Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së  Informacionit, ka hapur një tender me vlerë 173,220,000 lekë.

7. Në tender morën pjesë tre subjekte, dhe konkretisht “Oglivy” sh.p.k , “Spot Communicatiuons” sh.p.k dhe “1Up” sh.p.k.

8. Në përfundim të tenderit, sipas provave që disponojmë, fitues i tenderit u shpall  subjekti “Spot Communicatiuons” sh.p.k.

9. Pas një  investigimi nga Tv Ora, rezultojnë  dy kompani pjesmarrëse në tender janë  të lidhura me njëra tjetrën.

10. Kompania fituese u shpall “Spot Communicatiuons” sh.p.k, ndërkohë që kompani pjesëmarrese në tender është edhe “1Up” sh.p.k. Nëse i referohemi ekstrakteve në  QKB-së, rezulton se këto dy subjekte janë të lidhura me njëra tjetrën  (bashkëlidhur ekstraktet).

11. E kallëzuara prej nesh Mirza Alibegaj, që sot është administratore  e “Spot Communicatiuons” sh.p.k, në vitin 2013 ka qenë administratore e “1Up” sh.p.k, kjo sipas ekstraktit historik në QKB (Mirza Alibegaj u emërua administratore pas largimit te Theodhoro Çamit).

12. Në vitin 2013 “Le Spot Group” sh.p.k,  ka qënë ortak me kompaninë “1Up” sh.p.k dhe sot “Le Spot Group” sh.p.k  është ortak i kompanisë “Spot Communicatiuons” sh.p.k.

13. Burime për Tv Ora na kanë dhënë informacionin se fondet publike të ofruara për reklamimin e portalit e-Albania, janë keqpërdorur dhe pjesa më e madhe e tyre nuk ka shkuar për reklamimin e portalit e-Albania.

14. Në këto kushte i jemi drejtuar me kërkesë për informacion AKSHI-t, ku e kemi pyetur nëse janë  bërë verifikime për  pjesëmarresit në tender nëse ishin kompani të lidhura me njera- tjetrën direkt ose indirekt.

  1. Analiza juridike:

15. Kësaj pyetje drejtoresha e AKSHIT nuk i ka dhënë përgjigje, ndërsa pyetjes se  si janë shpenzuar lekët nga “Spot Communicatiuons” sh.p.k, e kallëzuara prej nesh znj. Mirlinda Karcanaj, i është përgjigjur se subjekti  ka përmbushur cdo kërkesë sipas kontratës, por pa na vënë në dispozicion asnjë dokument që e vërteton këtë gjë, duke shpërdoruar në këtë mënyrë detyrën për të cilën paguhet nga taksapaguesit shqiptar.  

16. Në këto kushte i jemi drejtuar përseri AKSHI-t, me një kërkkesë për informacion  me specifike ku i kemi kërkuar të na detajojë  me zera se si janë shpenzuar fondet publike, por sërish znj. Mirlinda Karçanaj refuzon të bejë transparence se ku kanë përfunduar 173,220,000 lekë dhe nuk na e jep informacionin e kërkuar, duke rënduar pozicionin e saj në ko0nsumimin e veprave penale për të ckilat e kallëzojmë sot.  

17. Në kontratën e lidhur midis AKSHI-t dhe “Spot Communicatiuons” sh.pk, janë të specifikuara në menyrë të detajuar se si do shpenzohen këto fonde publike, por edhe pse e ka detyrim ligjor  dhënien e informacionit znj. Mirlinda Karcanaj  refuzon të bejë transparencë, duke bërë që të jemi jo vetëm përpara konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, por edhe i të gjithë atyre të paraqitura në bazën ligjore sa më sipër.

18. Të ndodhur në këto kushte, kërkese për informacion i kemi dërguar edhe Administratores së “Spot Communicatiuons” sh.p.k, znj. Mirza Alibegaj e cila nuk na ka kthyer asnjë përgjigje, duke ngritur dyshime të arsyeshme se ka konsumuar veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjashëm.  

19. Për këtë arsye, i jemi drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit duke  e vënë në dijeni së AKSHI nuk bën transparencë dhe refuzon dhënien e  informacionit, kjo me qëllim fshehjen e abuzimeve me fondet e taksapaguesve shqiptar.  

20. Drejtoresha e këtij institucioni, znj. Elona Hoxhaj në kundërshtim të plotë me ligjin në fuqi shprehet se “Kërkesa për informacion tejkalon qëlimin e njohjes me dokumentacionin publik”, duke shpërdoruar në këtë mënyrë detyrën në bashkëpunim me të kallëzuarën tjetër znj. Karçanaj.

21. Nëse i referohemi Ligjit Nr.119/2014 neni 2 pika 2 për të drejtën e informimit, ligjvënësi ka sanksionuar se: ““Informacion publik” është çdo e dhënë e rregjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati gjatë ushtrimit të funksionit publik panvarsisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik”, duke detyruar kësisoj çdo institucion zbatimi e tij dhe duke vënë përpara ligjit çdo zyrtar që nuk e zbaton për shkak të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit.

22. Në këto kushte, detyrimit ligjor për dhënien e informacionit publik se ku perfunduan 173,220,000 lekë fonde publikë, ka refuzuar ti përgjigjet jo jetëm Drejtuesja e AKSHI-t, por edhe  Komisionerit pë të Drejtën e Informimit. Bashkangjitur do të keni korespondencën me institucionet e  lart përmendura, duke bërë që të jemi përpara faktit penal të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.  

23. Edhe në nenin 17 të po këtij ligji Kufizime”, ligjvënësi ka sanksionuar qartë se kush  është kufizimi në dhënien e informacionit:

“1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:

a) të drejtën për një jetë private;

b)sekretin tregtar;

c) të drejtën e autorit;

ç) patentat.

Kufizimi i së drejtës së informimit, për shkak të interesave të parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të kësaj pike, nuk zbatohet kur titullari i këtyre të drejtave ka dhënë vetë pëlqimin për dhënien e informacionit përkatës ose kur në momentin e dhënies së informacionit ai është konsideruar autoritet publik në bazë të parashikimeve të këtij ligji.

Pavarësisht nga sa parashikohet në këtë pikë, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.

2. E drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm:

a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar;

b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;

c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;

ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;

d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;

dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;

e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;

 ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërko-mbëtare ose ndërqeveritare.

Pavarësisht nga sa parashikohet në paragrafin e parë, të pikës 2, të këtij neni, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij neni, nuk zbatohet kur hetimi administrativ, në kuadër të një procedimi disiplinor, dhe procedurat e inspektimit e të auditimit të autoriteteve publike kanë përfunduar.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “d” dhe “dh”, të këtij neni, nuk zbatohet kur të dhënat përkatëse janë fakte, analiza të fakteve, të dhëna teknike ose të dhëna statistikore. Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronja “e”, të këtij neni, nuk zbatohet pasi politikat janë bërë publike.

3. E drejta e informimit kufizohet, nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe në qoftë se përhapja e informacionit do të shkelte sekretin profesional të garantuar nga ligji.

4. E drejta e informimit kufizohet edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.

5. E drejta e informimit nuk refuzohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në dokumente të klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këtë rast, autoriteti publik, të cilit i është dërguar kërkesa për informim, fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin, sipas ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, të ndryshuar. Autoriteti publik njofton menjëherë kërkuesin për fillimin e procedurës për rishikimin e klasifikimit, sipas ligjit, dhe vendos shtyrjen e afatit për dhënien e informacionit brenda 30 ditëve pune. Në çdo rast, vendimi për trajtimin ose jo të kërkesës për informim merret dhe arsyetohet në bazë të kritereve të këtij neni.

6. Nëse kufizimi prek vetëm një pjesë të informacionit të kërkuar, pjesa tjetër nuk i refuzohet kërkuesit. Autoriteti publik tregon qartë pjesët e dokumentacionit përkatës që janë refuzuar, si dhe në bazë të cilës pikë të këtij neni është bërë ky refuzim.

7. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji, pavarësisht nga parashikimet e ligjit për arkivat.”, duke vërtetuar katërcipërsiht që kërkesaj jonë jo vetëm nuk bën pjesë në kufizimet e dhënies së informacionit, porse personat që nuk e japin atë, kanë konsumuar vepërn penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

24. Dyshime akoma më të mëdha ngrihen për faktin se kompanitë në kohën e tenderit kanë  rezultuar te e njëjta adresë në Lundër, fakt i cili vërteton bashkëpunimin e personave të kallëzuar nga ne në kryerjen e veprave ponale por edhe se pas kësaj rezistence për të mosdhënë një informacion, fshihet një aferrë korruptive.  

25. Që të ekzistojë vepra penale duhet që të vërtetohet cënimi i rregullave të vendosura nga aktet ligjore ose nënligjore që normojnë detyrat e punonjësit shtetëror apo të personit që ushtron detyra apo funksione publike.

26. Të vecantë këtë situatë e bën koordinimi i kryerjes së të gjithë këtyre veprave penale nga persona të ndryshëm, por që të gjitha janë bërë me një qëllim, atë të përfitimit financiar personal me anë të korrupsionit si dhe duke abuzuar në dëm të parave publike.

27. Me nje perpjekje fare te vogel dhe vetem duke ju referuar fakteve publike, provave të depozituara nga ne si dhe deklarimeve të banorëve, vërtetohet dhe faktohet kryerja e veprës penale nga personat e mësipërm të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar të gjithe elementët e veprave penale për të cilat ne i kallëzojmë sot.

28. Në rastin konkret, vërtetohet cënimi i rregullave të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore përsa i përket procedurave të tenderit në lidhje me mënyrën e vlerësimit të tyre si dhe afatet e parashikuara në këtë tender.

29. Objekti: Objekti i veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” ka të bëjë me mbrojtjen e veprimtarisë së rregullt të organeve shtetërore nga veprimet ose mosveprimet e kundërligjshme. Konkretisht, marrëdhënia juridike që synohet të mbrohet është funksionimi në mënyrë të rregullt i veprimtarisë së Drejtueses së AKSHI-it në raport me kompaninë private që është shpallur fitues për këtë tender.

29.1. Ana objektive: Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” kryhet nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të paligjshme, që konsiderohen mospërmbushje e rregullt e detyrës, si rezultat i të cilave kanë ardhur dëme të rënda, për interesat e ligjshëm të shtetit apo shtetasve. Përmbushja e këtij elementi të veprës penale kërkon (i) kryerjen ose moskryerjen e një veprimi; (ii) në kundërshtim me ligjin; (iii) nga personi që ushtron funksione publike; dhe (iv) që sjell përfitime materiale ose jomateriale ose dëmtojnë interesat e ligjshëm të shtetit, shtetasve apo personave të tjerë juridikë.

29.2. Subjekti: Subjekti i veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” është i posacëm, pasi kjo vepër penale mund të kryhet vetëm nga personi që kryen një detyrë publike. Konkretisht, subjekte të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” janë shtetaset Mirlinda Karçanaj,  Elona Hoxhaj dhe zyrtarë të tjerë të paidentifikuar të përfshirë në mënyrë direkte apo indirekte në veprimet e paligjshme të kryera nga shtetasit e mësipërm.

29.3. Ana subjektive: Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” kryhet me dashje të drejtpërdrejtë, pasi personi që kryen funksionin publik është i vetëdijshëm për veprimet e tij të paligjshme dhe dëshiron ardhjen e pasojave të tyre. Konkretisht, sic rezulton nga faktet e shpjeguara më sipër, shtetasja Mirlinda Karçanaj ka për qëllim përfitimet financiare që do t`i kthehen (ose i janë kthyer) nga kompania fituese, e cila jo vetëm se ka dyshime të arsyeshme se ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj znj. Karçanaj, por në rastin e fitimit të tenderit por ka shprdoruar konmpetencat në rastin e mos deklarimit të shoqërive të lidhura me të.

30. Personi i parë i kallëzuar prej nesh është shtetësja Mirlinda Karçanaj, me detyrë drejtuese e AKSHI-t, e cila me veprime konkrete ka konsumuar elementët e vepres penale të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal.

31. Nëse analizojmë me kujdes parashikimet e Ligjit Nr.162/2020 “Për Prokurimin Publik”, shikojmë se ka shkelje të rënda nga i kallëzuari prej meje pasi nëpërmjët shkeljes së këtyre dispozitave:

a) nuk është rritur efiçenca dhe efikasiteti  në procedurat e prokurimit publik; b) nuk është siguruar mirëpërdori i fondeve publike dhe të ulë shpenzimet procedurale;

c) nuk nxit pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik;

ç) nuk nxit konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë;

d) nuk siguron një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik;

dh) nuk siguron integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik.

32. Nëpërmejt këtyre veprimeve arbitrare, të kallëzuarit prej nesh të identifikuar apo jo:

32.1. Nuk garantojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për operatorët ekonomikë, si dhe veprojnë me transparencë e në mënyrë proporcionale.

32.2. Shmangin fushën e zbatimit të këtij ligji ose të ngushtojnë në mënyrë artificiale konkurrencën.

32.3. Konkurrenca konsiderohet se është ngushtuar artificialisht kur prokurimi përgatitet me qëllimin për të favorizuar ose dëmtuar në mënyrë të padrejtë operatorë ekonomikë të caktuar.

32.4. Shkelen detyrimet e përcaktuara në legjislacionin mjedisor, social e të punës dhe në dispozitat e marrëveshjeve dhe konventat ndërkombëtare, të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën.

33. Gjithashtu, nëpërmjet shkeljeve të evidentuara, të kallëzuarit prej nesh nëpërmjet fshehjes së të dhënave të përfituesit të tenderit, bien ndesh me:

33.1. Rregullat për procedurat e prokurimit nga autoritetet dhe entet kontraktore për kontratat publike dhe konkurset e projektimit.

33.2. Direktivën 2014/24/BE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 26 shkurt 2014 “Për prokurimin publik dhe që shfuqizon Direktivën 2004/18/KE”, e ndryshuar”.

33.3. Direktivën e Këshillit 89/665/KEE, datë 21 dhjetor 1989 “Mbi koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative në lidhje me zbatimin e procedurave të rishikimit për dhënien e kontratave të furnizimit publik dhe punëve publike”, e ndryshuar”.

33.4. Direktivën e Këshillit 92/13/KEE, datë 25 shkurt 1992 “Mbi koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative në lidhje me zbatimin e rregullave të Komunitetit për procedurat e prokurimit të enteve që operojnë në sektorët e ujit, energjisë, transportit dhe telekomunikacionit”, e ndryshuar”.

34. E shohim të rëndësishe të vëmë në dukje faktin se Ligji Nr.162/2020 “Për Prokurimin Publik”, dhe Ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, nuk ka snjë ndalesë në dhënien e këtij informacioni, por fakti se znj. Karçanaj dhe znj. Hioxhaj e refuzojnë një gjë të tillë, vërteton katërcipërisht se të kallëzuarit prej nesh jo vetëm kanë shpërdoruar detyrën në mosdhënien e informacionit, por ka dyshime të arsyeshme në konsumimin e veprës penale të korrupsionit, të kryera në bashkëpunim.

35. Sa më sipër, ne argumentojmë se të kallëzuarit prej nesh, këto vepra i kanë kryer me qëllimin e vetëm të përfitimit financiar dhe me qëllimin e vetëm për arritjen e përfitimeve nëpërmjet korrupsionit.

36. Përfundimisht, nga sa analizuam dhe argumentuam më sipër rezulton se, janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal, dhe për pasojë organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë të diktuar nga interesi i lartë që është cenuar dhe preket në këtë rast, duke qenë se jemi përpara disa veprave të cilat ulin besimin te publiku në zbatimin e ligjit si dhe cënonjnë  paratë dhe interesin publik.

Siç dhe e kami parashtruar edhe me sipër, rezulton qartë se të kallëzuarit prej nesh dhe personat e paidentifikuar, nuk kanë respektuar kuadrin ligjor në fuqi dhe i kanë konsumuar veprat penale në funksion të përfitimeve personale dhe në bashkëpunim kanë kryer një sërë veprash penale si:   “Shpërdorim i kompetencave”, parashikuar nga neni 164 i Kodit Penal, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga Neni 258 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si kreu i një bashkie apo titullari i një institucioni shtetëror, ashtu dhe çdo qytetar i thjeshtë.

Siç dihet, struktura që ju aktualisht drejtoni është institucion shumë i rëndësishëm për hetimin e veprave kaq të renda dhe të kryera në nivelet më të larta.

Ndaj ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashme me të, janë rasti ideal që edhe SPAK të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe tashmë të tregojë me vepra, se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është apo jo i pasur apo i veshur me pushtet.

  1. Ligji  aplikueshëm:

Kallëzimi penal është bazuar në dispozitat ligjore të detyrueshme në fuqi si:

Kodi i Procedurës Penale:

Neni 280 i K.Pr.Penale:

Marrja dijeni për veprën penale

“Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.”.

Neni 283 i K.Pr.Penale:

Kallëzimi nga ana e shtetasve

“1. Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore me gojë ose me shkrim, personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit.

3. Kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga neni 194. Të dhënat e përmbajtjes së kallëzimit anonim mund të verifikohen nga prokurori ose policia gjyqësore për të siguruar elementë të provës, që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.”.

Neni 75/a i K.Pr.Penale:

Kompetencat e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

“Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:

a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e;

b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;

c) akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë te Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj;

ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.”.

Kodi Penal:

Neni 25 i Kodit Penal,

Kuptimi i bashkëpunimit

“Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.”.

Neni 164 i Kodit Penal,

Shpërdorimi i kompetencave

“Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës apo  administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”.

Neni 245/1 i Kodit Penal,

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt deri në vlerën 50.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në një vit.

Po kjo vepër, kur përfitimi i parregullt është mbi vlerën 50.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt deri në vlerën 50.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, për veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet.

Po kjo vepër, kur përfitimi i parregullt është mbi vlerën 50.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet.”.

Neni 248 i Kodit Penal,

Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.”

Neni 258 i Kodit Penal,

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike

“Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim gjer në tre vjet.”.

Neni 259 i Kodit Penal,

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

“Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.”.

PËRFUNDIMISHT:

Jam i bindur dhe me besimin se Ju me hetimin e paanshëm dhe të drejtë do zbardhni të vërtetën e kësaj vepre kriminale të kallëzuar prej meje, duke  çuar përpara Gjykatës së posaçme të gjithë personat përgjegjës pavarësisht funksionit që mbajnë, për të kthyer kësisoj besimin e publikut te drejtësia dhe për të vërtetuar se:  “Ligji është një dhe i barabartë për të gjithë”.

PËR KËTOARSYE:

Në mbështetje të nenit 280 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, nga ana e Organit të Prokurorisë Posaçme SPAK,

KËRKOJMË:

– Fillimin e ndjekjes penale  për personat e kallëzuar më sipër dhe çdo person i paidentifikuar prej nesh, për  kryerjen e veprave penale   “Shpërdorim i kompetencave”, parashikuar nga neni 164 i Kodit Penal, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga Neni 258 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,  në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.

Tiranë më 20.02.2023

KALLËZES:

Bashkëngjitur provat:

1.

2.

3.

4.

…..