Dosja e Ilir Metës sërish në udhëkryq, për shkak të shtyerjes së seancës që ishte parashikuar të zhvillohet këtë të martë në Gjykatën e Posaçme.
Seanca praprake, ku pritej që gjyqtarja Irena Gjoka të vendoste për kalim apo jo për gjykim u shty për shkak të mungesë së avokatit të Monika Kryemadhit.
Gjyqtarja Irena Gjoka pezulloi afatet e paraburgimit të Metës, ndërsa SPAK paraqiti prova të reja në gjykatë.
Avokati i Metës akuzoi gjyqtaren Gjoka duke thënë se ajo po shantazhon prokurorët, pasi sipas tij këta të fundit po hetojnë magjistraten për akuzave ngritura nga Sali Berisha.
“Do mbajmë qëndrimin tonë sa i përket Irena Gjokës, me këtë është e vështirë për të vazhdojmë procesin. Unë prezent aty ajo pezullon afatet se mungon një avokat i një të pandehuri tjetër. Në vendime thuhet se kur mungon pa arsye avokati i të pandehurit. Unë jam aty jam prezent dhe ajo vazhdon pezullon afatet. Çfarë t’i bëj Gjokës kur ajo është në shantazh. Ia thashë në sy se ty prokurorët po të shantazhojnë dhe po të hetojnë. Halli i saj është se ka mashtruar drejtësinë”, tha avokati.
Të njëjtat akuza përsëriti edhe Monika Kryemadhi e cila në prononcimin për mediat tha se Altin Dumani po zgjat hetimet për të mbajtur në qeli Ilir Metën.
“Dmth se jemi në hetim paraprak dhe arsyeja për të cilën është hetuar në mënyrë të tillë është për të mbajtur Metën në burg, mua dhe familjarët nën presion. Ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim, edhe pse është në largim e sipër”, tha Kryemadhi.
SPAK mbylli hetimet për dosjen e Ilir Metës në fund të muajit korrik. Në këtë dosje janë përfshirë tre hetime, CEZ-DIA, lobimi i LSI në SHBA si dhe pastrimi i parave të ish-çiftit presidencial./vizionplus.tv






