Ishujt Kanarie janë goditur nga reshje të dendura shiu që shkaktuan përmbytje në disa zona në 24 orët e fundit. Videot e postuara në rrjetet sociale kanë kapur intensitetin e motit të keq me ujërat e vrullshëm duke fshirë gjithçka në rrugën e tyre.
Më së shumti është goditur qyteti Telde në lindje, ku makinat janë mbuluar nga uji dhe balta për shkak të përrenjve të krijuar.
Në një rast, rreth 80 njerëz u bllokuan në një supermarket në Tenerife pasi nuk mund të arrinin automjetet e tyre të mbuluara me ujë në parkingun nëntokësor të biznesit.
Qeveria vendore lëshoi një alarm për ngjarje ekstreme të motit, duke u bërë thirrje banorëve dhe vizitorëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre deri në qetësimin e motit.
Sipas të dhënave të fundit moti i keq i karakterizuar kryesisht me stuhi pritet të vazhdojë deri nesër, e mërkurë.
