Abcnews.al ka siguruar pamje nga uzina e armëve në Poliçan të Beratit, ku u arrestuan katër shtetas të huaj çekë, të cilët fotografuan dhe tentuan të hynin në uzinë.
Më konkretisht janë arrestuar dy gra dhe dy burra.
Sipas policisë në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake janë konstatuar 2 gratë çeke, shtetaset me inicialet P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe me aparat fotografik.
Në brendësi të tuneleve të Uzinës janë gjetur dy shtetas të tjerë çekë.
Ndërsa duket se ambientet e uzinës janë rrethuar nga forca të shumta policore. Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme u arrestuan gjithashtu 2 rusë dhe një ukrainas, pasi tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.
Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?
2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur dhe një përplasje me rojet ushtarake.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.
Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.