Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u bëri thirrje të shtunën të gjithë subjekteve private që disponojnë struktura akomoduese pranë bregdetit, që të aplikojnë në E-Albania deri në datën 20 dhjetor.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Kumbaro bëri të ditur se “20 Dhjetori do të jetë afati i fundit i aplikimeve në E-Albania për të gjitha subjektet private që disponojnë struktura akomoduese pranë bregdetit, të certifikuara nga MTM të cilat dëshirojnë të menaxhojnë stacione plazhi gjatë sezonit veror 2025.”

Aplikimi do të kryhet sipas kritereve të reja ligjore, ku plazhet do të mund të merren nën administrim të përkohshëm vetëm nga hotelet e vijës së parë ose në afërsi.

Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.

Hartat e plazheve u miratuan në fillim të muajit nëntor gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, ndërsa me rregulloren e re lirohen rreth 675 parcela plazhesh.

Aplikimi

Agjencia Kombëtarë e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi më 20 nëntor 2024 se janë hapur për bizneset e interesuara aplikimet të cilat do të qëndronin të hapura 30 ditë.

Sipas AKSHI-t, për të pestin vit radhazi, subjekteve u krijohet mundësia të dërgojnë online kërkesën për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit gjatë sezonit turistik, të cilën e trajton Agjencia Kombëtare e Bregdetit, sipas prioriteteve dhe kushteve të përcaktuara.

Në bazë të Vendimit të Qeverisë të miratuar pak javë më parë, u miratua rregullorja për kushtet dhe kriteret për përdorimin e hapësirës së plazheve nga subjektet private. Përparësi për stacione plazhi do të kenë vetëm strukturat akomoduese, pra hotelet e vijës së parë të bregdetit, si dhe ato që ndodhen afër saj.

Edhe pse duket si një procedurë e gjatë, aplikimi online për fazën e parë zgjat vetëm një minutë dhe çdo njoftim për të kaluar nga një hap në tjetrin i mbërrin subjektit aplikues elektronikisht në e-Albania.

Shërbimin elektronik “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi”, përdoruesit e aksesojnë si biznes, duke plotësuar kërkesën sipas formatit standard. Përzgjidhet një nga numrat identifikues të stacionit të plazhit, sipas hartës digjitale të hapësirave të lejuara dhe ngarkohet dokumentacioni i nevojshëm, si:

– Plani i operimit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi dhe strukturë shërbimi;

– Foto të jashtme të qarta të strukturës akomoduese, të cilat të identifikojnë strukturën akomoduese para/ në afërsi në raport me hapësirën e plazhit;

– Foto të qarta të hapësirës së plazhit (stacionit të plazhit) për të cilën po aplikohet

Pas kalimit me sukses të fazës së parë, aplikuesi së bashku me AKB-në dhe njësinë vendore njoftohen elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, për hapjen e fazës së dytë , ku kërkohet plotësimi me dokumente specifike, shumë të rëndësishme për finalizimin me sukses të aplikimit:

– Plan-vendosja përkatëse e stacionit të plazhit, ku specifikohet numri i çadrave, duke mbajtur në konsideratë distancat e parashikuara në këtë rregullore dhe sipërfaqen konkrete;

– Mandatpagesa vjetore e sipërfaqes së stacionit të plazhit nga ana e Njësisë së
Vetëqeverisjes Vendore, si palë përfituese, sipas tarifave vendore në fuqi;

– Vërtetimi i shlyerjes së të gjithë detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore.

Me përfundimin me sukses edhe të fazës së dytë, sipas AKSHI miratohet kërkesa për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, konfirmim ky që i shkon aplikuesit nëpërmjet e-Albania për t’u përmbyllur me nënshkrimin e kontratës nga 1 deri 5-vjeçare dhe lëshimin e certifikatën përkatëse.

/rtsh.al/