Për të disatën herë, Klodian Rrjepaj shkon në Prokurori të dëshmojë lidhur me koncesionet miliona euroshe të dhëna në shëndetësi.

E ndërkohë SPAK bën me dije se hetimet për tenderimet janë drejt përfundimit, hetime që në fakt kanë nisur 6 vite më parë nga Prokuroria e Tiranës. Po ndërsa asokohe Klodian Rrjepaj, në cilësinë e zëvendësministrit të Shëndetësisë, dëshmoi në lidhje me hetimin e skuadrës Task-Forcë që ishte ngritur në këtë organ akuze, i dyshuar dhe i përfolur jo pak qe edhe eprori i tij i asaj kohe, Ilir Beqja. Po në kohën kur u duk se ndryshimet në strukturat hetimore do ta zbehnin këtë çështje-skandal, SPAK regjistron çështjen dhe vë në dispozicion të hetimit katër prokurorë për të hetuar në themel koncesionet për shërbimet spitalore.

DJE

Kështu, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, u mor në pyetje për disa orë në Prokurorinë e Posaçme ku ka dhënë sqarime për tenderin e sterilizimit. Dosja është në prag të finalizimit dhe SPAK pritet të presë fletëarrestet për personat që kanë abuzuar me tender. Për të dytën herë brenda pak javësh, Prokuroria e Posaçme ka thirrur për të marrë në pyetje ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Pyetja e tij ka zgjatur disa orë para oficerëve të Policisë Gjyqësore të BKH-së në lidhje me procedurat e ndjekura për tenderimin e sterilizimit dhe të “Check Up”, tender i cili është duke u hetuar nga prokurorët e SPAK. Pyetja e ish-zëvendësministrit vjen në një kohë kur Prokuroria e Posaçme është duke finalizuar hetimin për koncesionet e sterilizimit të pajisjeve mjekësore të operacioneve dhe shërbimin e ‘Check Up’ në spitalet e vendit. Pjesë e procedurës është edhe marrja në pyetje e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vetëm tenderi i sterilizimit të pajisjeve mjekësore ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekë, ndërsa ‘Check Up’ shkon në rreth 8.7 miliardë lekë. Ditët e fundit, SPAK ka marrë në pyetje disa persona, ndërsa të gjitha spitaleve në vend u është kërkuar dokumentacioni i nevojshëm në lidhje me këtë koncesion.

I pari që u mor në pyetje nga prokurorët ishte anëtari e Komisionit të Koncesionit, Saimir Kadiu, si dhe më pas anëtarët e Komisionit të Tenderit. Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe është nën hetim prej 3 vitesh.

Kallëzimi u bë nga përfaqësues të Nismës Thurje, të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit. Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ishministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.

NISJA E HETIMEVE

Më 24 prill të vitit 2016, Prokuroria e Tiranës thirri për të dëshmuar për koncesionet e dhëna në shëndetësi zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Marrja në pyetje u tha se do të bëhej pas hetimit të nisur kryesisht nga Prokuroria në lidhje me procedurat e dhënies me koncesion të disa shërbimeve spitalore. Përveç zv.ministrit Rrjepaj, u tha se ishin thirrur për t’u pyetur edhe anëtarë të komisionit të tenderëve në Ministrinë e Shëndetësisë.

Hetimi për koncesionet në shëndetësi kishte nisur në fundin e vitit 2015, duke filluar 2016 me iniciativën e Prokurorisë nga njësia task-forcë. Prokuroria e Tiranës njoftoi asokohe se në hetim ishin marrë koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë si dhe koncesioni i check up-it falas.

Fillimisht organi i akuzës sekuestroi dhe verifikoi dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike dhe më pas do të vijohej me marrjen në pyetje të personave që kishin dijeni për çështjen. Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve shëndetësore e vendosen ish-ministrin Ilir Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi rezultoi se kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kishin qenë përfituese të tyre, duke bërë që hetimet për këto koncesione të mos mbylleshin sot e asaj dite.