Portieri i Shqipërisë ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me ekipin e Premier League.
Thomas Strakosha është futbollisti i ri i Brentfordit. Portieri i kombëtares shqiptare të futbollit u transferua në klubin e Premier Ligës si lojtar i lirë.
27-vjeçari firmosi për katër vite, pasi u largua nga Lacio në verë kur kontrata i përfundoi. Në total, Strakosha ka zhvilluar 200 ndeshje me bardhekaltrit, që kur u bë pjesë e klubit në ekipin e të rinjve në 2011.
Portieri kuqezi përshëndeti tifozët e ekipit anglez pas zyrtarizimit.
“Përshëndetje fansa të Brentfordit! I lumtur që ndodhem këtu. Ndihem shumë i emocionuar. Shpresoj që t’ju shikoj sa më parë në stadium. Forca Brentford!”
I kënaqur për këtë përforcim ishte edhe trajneri i ekipit anglez Tomas Frenk, i cili tha se me grupin është afruar një portier mjaft cilësor dhe se do të sjellë eksperiencë pasi ka luajtur në Serie A dhe kompeticionet europiane.
27-vjeçari ka zhvilluar me kombëtaren 19 takime. Portieri kuqezi pritet që të bashkohet me ekipin në fazën parasezonale në Gjermani brenda pak ditësh.
Pas Armando Brojës, Strakosha është futbollisti i dytë kuqezi që do të luajë në Premier Ligë sezonin e ardhshëm.