Një valë refuzimesh vizash dhe deklarata të ashpra nga autoritetet amerikane kanë futur në pasiguri mijëra studentë kinezë që shpresonin të ndjekin studimet e larta në Shtetet e Bashkuara.

Shkurtimet e fundit në politikat e imigracionit të administratës Trump kanë rikthyer një tension të hershëm mes edukimit dhe sigurisë kombëtare, duke vënë në pikëpyetje fatin e një brezi të rinjsh.

Xiao Chen, një 22-vjeçare kineze e pranuar për komunikim në Universitetin e Michiganit, doli e tronditur nga Konsullata Amerikane në Shangai pasi kërkesa e saj për vizë u refuzua pa asnjë shpjegim.

Refuzimi i saj nuk është i izoluar. Qindra studentë të tjerë janë përballur me të njëjtin fat, ndërsa Uashingtoni ka shpallur një politikë të re për të “revokuar në mënyrë agresive” vizat për studentët kinezë me të ashtuquajturat “lidhje me Partinë Komuniste” ose që ndjekin programe të ndjeshme teknologjike.

Pekini e ka dënuar këtë qasje si një “akt të qartë diskriminimi politik”, ndërsa Ministria e Jashtme Kineze ka paraqitur një protestë zyrtare ndaj SHBA-së.

“Kjo është një përpjekje për të ndalur shkëmbimet akademike dhe për të kultivuar klimën e frikës dhe dyshimit,” tha zëdhënësi i saj.

Studentët që janë kthyer në Kinë gjithashtu përballen me vështirësi. Diplomat e huaja, dikur të çmuara në tregun e punës, tani shpesh shihen me dyshim nga punëdhënësit kinezë.