Në një kohë që Kuvendi pritet të votojë sot projektligjin që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri 5 vite pas studimeve, studentët e Mjekësisë kanë nisur protestën e tyre para nisjes së seancës.

Me thirrjet për të anuluar projektligjin, për rritjen e pagave të mjekëve, studentët kërkojnë nga deputetët e Kuvendit që të mos e votojnë projektligjin.

Duke iu referuar deklaratave të Evis Kushit se një pjesë e mirë e studentëvetë Mjekësisë janë pro projektligjit, të rinjtë folën me shifra në lidhje me peticionin që është firmosur nga 90% e të gjithë studentëve të Mjekësisë.

“Janë 1500 studentë të Mjekësisë, 90% e studentëve janë kundër projektligjit dhe e kanë firmosur peticionin, edhe pjesa tjetër mbështet protestën, dhe nuk kanë firmosur pasi një pjesë e tyre janë larguar nga Tirana”, tha një prej organizatorëve të protestës.

Studentët u shprehën se në rast se Kuvendi do të miratojë sot projektligjin, që detyron mjekët e rinj që të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri për të punuar, ata do të bojkotojnë vitin e ri akademik.